Zyra e Kryeministrit

Kërkoj të fuqizoni Kosovën, qytetarët dhe institucionet e saja që të fillojmë fazën tjetër të historisë sonë – thekson kryeministri Thaçi para anëtarëve të GND-së

14 Qershor, 2010

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi para Grupit Ndërkombëtar Drejtues

Prishtinë, 14 korrik 2010

Të nderuar përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar Drejtues,
I nderuar Përfaqësues Ndërkombëtar Civil, z. Pieter Feith,
Zonja dhe zotërinj,

Që në fillim, më duhet të theksoj se Kosova iu ka borxh mirënjohjen më të lartë të gjitha shteteve të cilat janë të përfaqësuara sot këtu.

Prandaj është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’i drejtohem këtij takimi të Grupit Ndërkombëtar Drejtues (GND).

Arsyeja e këtij respekti të lartë është e qartë për të gjithë ne.

Ju më së miri kuptuat se pavarësia e Kosovës ishte opsioni i vetëm dhe iu besuat qytetarëve të Kosovës të ndërtojnë një shtet demokratik dhe shumë-etnik, i cili mund të bëhet model stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Tashmë, një gjë e tillë është realitet dhe besoj se Kosova ua ka shpaguar besimin tuaj.

Edhe pse kanë kaluar vetëm dy vite prej kur se Kosova shpalli pavarësinë e saj, ne kemi shënuar një varg suksesesh:

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 69 vende.

Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kemi mbajtur zgjedhje komunale të lira e demokratike, në të cilat morën pjesë qytetarët serbë të Kosovës dhe zgjodhën përfaqësuesit e tyre në strukturat e reja komunale.

Decentralizimi po zë rrënjë në mbarë vendin, kurse Qeveria po ua bartë përgjegjësitë strukturave lokale,  duke e sjellë qeverisjen më afër qytetarëve.

Këto dy vite kanë qenë një periudhë e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Prandaj, ata që pritën jostabilitet dhe dështim, dolën  të gabuar.

Ne, së bashku me ndihmën dhe udhëzimet e çmueshme që kemi pranuar nga Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil z. Pieter Feith, kemi arritur të përqendrohemi në zbatimin e obligimeve që Presidenti Martti Ahtisaari parashtroi në Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Kemi qenë të përkushtuar për ndërtimin e institucioneve tona të reja demokratike dhe funksionalizimin e tyre.

Këto dy vite të kaluara i konsideroj si fazë të parë të zhvillimit të Kosovës, fazë në të cilën ne kemi arritur të konsolidojmë pavarësinë e vendit.

Duke kryer shumë nga obligimet tona që dalin nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, Qeveria dhe institucionet tona po demonstrojnë për çdo dite e më tepër kapacitetet shtetërore funksionale.

Tani, kur jemi duke pritur mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, mendoj se Kosova është gati të fillojë fazën e ardhshme të historisë dhe zhvillimit të saj.

Përderisa në dy vitet  e kaluara ne u përqendruam në konsolidimin e pavarësisë sonë, për të dëshmuar para komunitetit botëror se e meritojmë besimin dhe njohjen e tij, sot Kosova është përgatitur ta fillojë të ardhmen së saj euro-atlantike.

Por, për të nisur këtë tranzicion Kosova ka nevojë për ndihmë.

E di se kemi ende për të bërë më shumë.

Kemi nevojë të forcojmë sundimin e ligjit dhe t’a ngrisim besimin e qytetarëve tanë.

Duhet t’a ngremë shkallën e zhvillimit ekonomik.

Duhet ta realizojmë tërë potencialin e decentralizimit dhe të sigurohemi se qytetarët kanë lidhje të ngushta me qeverinë dhe  udhëheqësit e tyre.

Për më tepër, duhet thellojmë lidhjet ndërmjet grupeve të shumta etnike të Kosovës dhe t’a bëjmë tolerancën dhe respektin për kulturat e njëri-tjetrit pjesë të natyrshme të jetës në vendin tonë.

Duke iu falënderuar Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe bashkësisë ndërkombëtare, kemi krijuar strukturat për t\’u ballafaquar me këto sfida dhe ju premtoj se jemi të përkushtuar që ta bëjmë Kosovën një rrëfim suksesi dhe model të rritjes, paqes dhe stabilitetit.

Duke i pasur parasysh të arriturat që i kemi bërë dhe përkushtimin tonë të dëshmuar ndaj planit Ahtisaari, dëshiroj të them se i mirëpres përpjekjet e z. Pieter Feith-it për të filluar definimin e tranzicionit prej Zyrës Ndërkombëtare Civile drejt një pranie më të fuqishme të Bashkimit Europian (BE-së).

Një prani e rritur e BE-së në Kosovë vetëm sa do të mund të na ndihmojë edhe më shumë në synimin tonë për antarësim në BE.

Megjithatë, të mos harrojmë se Zyra Ndërkombëtare Civile është institucioni i vetëm europian që është plotësisht i përkushtuar ndaj statusit tonë si shtet sovran dhe i pavarur.

Prandaj e mirëpres përkrahjen që na ofron Zyra Ndërkombëtare Civile.

E mirëpres  përkrahjen e Zyrës Ndërkombëtare Civile për të na ndihmuar që ne t’i afrohemi Europës dhe për t\’i ndihmuar BE-së që ajo t’i afrohet pa hezitim pranimit të faktit se Kosova funksionon si shtet demokratik.

E mirëpres ardhjen e kohës – shpresoj në të ardhmen e afërt – kur prania e BE-së në Kosovë mund të afishoje qëndrimin e saj të përkushtimit ndaj statusit të Kosovës,  ashtu siç e bën këtë sot Zyra Ndërkombëtare Civile.

Po ashtu, e mirëpres misionin e EULEX-it në Kosovë.

Ky mision po ndihmon zhvillimin e sundimit të ligjit, dhe mandati i tij ekzekutiv është garancë shtesë për qytetarët e Kosovës se askush nuk është mbi ligjin dhe se hetimet komplekse do të vazhdojnë pa interferime politike.

Ne po mësojmë nga EULEX-i, po ndërmarrin hapa dhe miratojmë legjislacion të ri për t’i zhvilluar institucionet tona të sundimit të ligjit.

Si rezultat i kësaj, po i afrohemi shpejt kohës kur institucionet e Kosovës mund – dhe duhet – të marrin tërë barrën e përgjegjësisë për mbajtjen dhe garantimin e rendit, ligjit dhe drejtësisë në vendin tonë.

Derisa institucionet tona vazhdojnë të përmirësohen, shpresoj të shoh fillimin e tranzicionit të EULEX-it drejt një misioni ndihmues, që do të përqendrohet kryesisht në avancimin e kapaciteteve tona dhe ngritjen e performansës së tyre profesionale.

Ky transfer i përgjegjësisë nga kujdestaria ndërkombëtare në kontrollin vendor vlen edhe për angazhimet në sektorin e sigurisë.

Pas njëmbëdhjetë vite të suksesit, KFOR-i ka kohë që filluar procesin e zvogëlimit të forcave të veta.

Në të njëjtën kohë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja), me mentorët e vet po punon që të arrijë kapacitet të plotë operacional.

Unë përfitoj nga rasti dhe ju pyes se a është FSK-ja vetëmjaftueshme për të garantuar sigurinë e Kosovës dhe rajonit?

Kosova  synon të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

Ky duhet të jetë vizion i përbashkët për të gjithë të pranishmit këtu, pasi që NATO ka dëshmuar qysh nga themelimi se anëtarët e saj gëzojnë siguri dhe paqe.

Prandaj mirëpres diskutimin e ideve me anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për atë se si të menaxhojmë tranzicionin prej ombrellës së sigurisë së KFOR-it, drejt një elementi të sigurisë, në të cilin Kosova ka rol udhëheqës, që mund të plotësojë zbrazëtinë kur të largohet KFOR, si dhe fillimin e diskutimeve për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, në NATO.

Zonja dhe zotërinj,

Ashtu siç iu thashë qytetarëve të vendit tim në fjalimin tim javën e kaluar, Kosova ka barrën e përgjegjësisë për të shpënë drejt fundit periudhën e pavarësisë se mbikëqyrur.

Duhet t’u tregojmë miqve dhe aleatëve tanë se ne jemi të përkushtuar ndaj forcimit të shtyllave themelore të shoqërisë sonë: multietnicitetit, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe institucioneve të pjekura qeverisëse demokratike.

Ju premtoj se ne jemi të përkushtuar ndaj këtij programi. E njohim situatën tonë unikate në botë, dhe e dijmë se kemi obligim t’u ofrojmë të gjithë qytetarëve tanë, në tërë territorin, mundësitë për vetëqeverisje dhe prosperitet, që po arrihet  në pjesën më të madhe të Kosovës.

Duhet të vazhdojmë të punojmë që t’i ofrojmë mundësitë e njëjta qytetarëve tanë që jetojnë në anën tjetër të lumit Ibër.

Nevojiten ide të reja.

Duhet të lirohemi nga idetë helmuese të cilat sollën aq shumë shkatërrim në Kosovë dhe rajon në kohën e Milosheviqit.

Është në interesin më të mirë të Grupit Ndërkombëtar Drejtues që si Kosova ashtu edhe Serbia të shkojnë drejt anëtarësimit të plotë dhe të barabartë në BE.

Jam i sigurt se gjatë këtij rrugëtimi mund të zbulojmë forma të reja bashkëpunimi që njohin natyrën e posaçme rajonale të veriut të Kosovës, duke e mbajtur atë plotësisht të integruar sipas kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Ky është zotimi im për ju.

Ju kërkoj që të fuqizoni Kosovën, qytetarët dhe institucionet e saja që të fillojmë këtë rrugëtim dhe të fillojmë fazën tjetër të historisë sonë.

Ashtu siç e thashë javën e kaluar në fjalën time drejtuar popullit të Kosovës, kërkoj që të më vlerësoni mbi bazë të asaj që Qeveria ime bën, por më jepni mundësi që ta bëjë këtë në partneritet me ju, por me Kosovën në rol udhëheqës.

Pra, jam i gatshëm të vlerësohem mbi bazë të asaj se sa bëjmë, por kam nevojë për përkrahjen dhe besimin tuaj për të filluar dhe marrë edhe me shumë përgjegjësi, që me të drejtë i takojnë Kosovës.

Të nderuar përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar Drejtues,

Me lejoni të ju rikujtoj se unë, si kryeministër, i respektoj dhe i çmoj shumë këshillat dhe ndihmën tuaj për vendin tim.

Ju mund të mbështeteni në përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve për qeverisje të mirë, për sundim të ligjit, për luftë të pakompromis kundër të gjitha dukurive negative, për zhvillim të qendrueshëm ekonomik dhe mirëqenie qytetare, dhe për perspektive të qartë për integrime euro-atlantike.

Kosova dhe qytetarët e saj janë krenar që liria e tyre mbrohet dhe fuqizohet nga shtete të fuqishme dhe mike.

Ne jemi mirënjohës për gjithçka që këni bërë dhe po bëni për vendin tonë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Last modified: 14 Qershor, 2010

Comments are closed.