Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përmes një telegram urimi përgëzon arsimtarët për fillimin e vitit të ri shkollor 2008/ 2009

31 Gusht, 2008

Prishtinë, 31 gusht 2008
 
Në telegram thuhet:

 
Të nderuar nxënës, mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë dhe punonjës të arsimit,
 
Filllimi i vitit të ri shkollor Ju gjen në Kosovën shtet të lirë, të pavarur dhe sovran.
 
Kosova ka arritur atë që me shekuj kanë ëndërruar breza të tërë: mësues, nxënës dhe arsimdashës, që kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm për arritjen e këtyre qëllimeve.
 
Viti i Ri shkollor është hapje e një beteje të rëndësishme për avancimin e proceseve edukative, për ngritjen e cilësisë dhe thellimin reformave në të gjitha nivelet e arsimit.
 
Rruga e Kosovës drejt integrimeve euratlantike është e hapur dhe më e shpejtë, në saje të arsimimit modern, profesional dhe cilësor.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e vendosur dhe shumë e përkushtuar që sistemi i edukimit në Kosovë të jetë prioritet dhe të gëzojë mbështetje të gjithanshme.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës në vitet që vijnë do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur që sistemi i arsimit të ngritet në nivele edhe më të larta.
 
Ruajtjen e dinjtetit moral, profesional dhe material të arsimtarit, krijimin e kushteve për ngritjen e dijes dhe cilësisë së jetesës së nxënësve, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta ketë gjithnjë në qendër të vemendjes.
 
Në emr të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju uroj fillim të mabrë dhe suksese në punë.
 
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës

Last modified: 31 Gusht, 2008

Comments are closed.

×