Zyra e Kryeministrit

Mesazhi i Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, z. Hashim Thaçi me rastin e 18 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese

2 Korrik, 2008

Prishtinë, 2 korrik 2008
 
Në mesazhin e Kryeministrit  të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 18 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese thuhet:
 
Në vazhdën e përpjekjeve për liri dhe emancipim politik të popullit të Kosovës, dokumenti i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 është dëshmi e këmbënguljes së delegatëve të Kuvendit të Kosovës për ta shprehur vullnetin e qytetarëve tanë për pavarësi.
 
Kjo datë ka hyrë në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë të re, si paralajmërim se populli i Kosovës jo vetëm që nuk pajtohej me statusin e krahinës autonome dhe reduktimin e saj të bërë një vit më parë, por ishte i pjekur për ta shpallur botërisht vullnetin për të qenë i barabartë me të tjerët.
 
Organizimi i qytetarëve të Kosovës në rezistencën civile dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fitoi mbështetjen e botës demokratike, u kurorëzuan me çlirimin e Kosovës. Vullneti politik i qytetarëve të Kosovës u sublimua më 17 shkurt 2008, kur Kosova e lirë dhe demokratike shpalli pavarësinë, e cila u njoh ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës.
 
Në tetëmbëdhjetë vjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, të gjithë  delegatët e ish-kuvendit të Kosovës i falënderojmë për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese. Kosova sot është bërë me Kushtetutë dhe institucione shtetërore që asaj i garantojnë perspektivë të sigurt drejt institucioneve euroatlantike.
 
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Kosovës

Last modified: 2 Korrik, 2008

Comments are closed.

×