Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar telegram urimi, Shkëlqesisë së Tij, Barack Obama, President i Zgjedhur i SHBA-ve

5 Nëntor, 2008

Shkëlqesisë së Tij Barack Obama
President i Zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
 
Prishtinë, 5 nëntor 2008
 
Shkëlqesi,

 
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam nderin t’Ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e zgjedhjes Suaj President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Zgjedhja e Presidentit të 44-të në Amerikë dhe prijësit të botës së lirë dhe demokratike ka shënuar histori.
 
Fushata zgjedhore ishte fisnike dhe nxori në pah vlerat më të mira të demokracisë dhe të qytetarisë aktive në Amerikë. Ne çmojmë lart vendin që zuri Kosova në fushatë, dhe ndihemi të privilegjuar me gatishmërinë e mbështetjes së mëtejshme për shtetin tonë të ri.
 
Republika e Kosovës është mike dhe partner i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Ne vlerësojmë lart mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë popullit të Kosovës në rrugën tonë drejt shtetit të pavarur dhe demokratik. 17 shkurti 2008 paraqet ndryshim për Kosovën, që shënoi fundin e përpjekjeve tona të gjata për liri dhe pavarësi.
 
Kosova është në rrugë të zhvillimit të saj politik, ekonomik dhe social drejt qëllimit tonë parësor, integrimeve euroatlantike. Kosova e ka vendin në Evropë si pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s.
 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë shumë për paqen dhe demokracinë në Kosovë dhe në rajon. Nga ana e saj, Kosova ka përqafuar synimin e saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një të ardhme të qëndrueshme të shtetit demokratik dhe të shoqërisë shumëetnike, me kushtetutë moderne, e cila garanton liri dhe barazi për të gjithë qytetarët e saj.
 
Z. President i Zgjedhur, gjatë përpjekjeve tuaja për të mirën e Amerikës dhe të botës, Kosova do të jetë gjithmonë partner i juaji në realizimin e qëllimeve të paqes dhe të demokracisë për të gjithë.
 
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më lejoni t’Ju shpreh edhe njëherë përkushtimin dhe mbështetjen tonë në punën tuaj si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  
 
Sinqerisht,
 
Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 5 Nëntor, 2008

Comments are closed.