Zyra e Kryeministrit

Deklaratë e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi

7 Qershor, 2008

Prishtinë, 07 qershor 2008
 
Ashtu siç jeni njoftuar nga Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), mbrëmë është sulmuar shtëpia  e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës.

Ende nuk janë të njohura  të gjitha detajet dhe kush është i përfshirë në sulmin kriminal. Në kohën e sulmit kryeministri nuk gjendej në shtëpi por aty ishin bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët nuk kanë pësuar lëndime.

Fakti se dikush ka dashur ta lëndoj kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve, qoftë pa durimin apo urrejtjen politike.
 
Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e Qeverisë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka të atillë të cilët nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të lirë moderne e demokratike në të cilën sundon rendi dhe ligji. Por askush mos të ketë iluzion se ne do të nënshtrohemi përballë kërcënimeve dhe përpjekjeve të tilla kriminale. Në Kosovë nuk ka vend për dhunë dhe nxitje të dhunës. Ata që shkaktojnë dhunë do të përgjigjen para ligjit. Qeveria e Kosovës nuk do të lëkundet nga rruga e saj e drejtë. Do të punojë me përgjegjësi që të përmbush misionin e saj për çfarë është zgjedhur nga populli, për qeverisje të mirë për sundimin e rendit dhe ligjit, vazhdimin e pa kompromis të luftës  kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo dhe kurdo paraqitet ai.

Kërkojmë nga qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e thirrjeve dhe deklarimeve destabilizuese.
Qeveria fton popullin e Republikës së Kosovës që ta ruaj unitetin dhe besimin në institucionet tona në kohën historike të shtet ndërtimit të vendit tonë. 

Last modified: 7 Qershor, 2008

Comments are closed.

×