Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kosova do të jetë përfituese meritore nga Konferenca e Donatorëve

9 Korrik, 2008

Prishtinë, 9 korrik 2008
          
Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, pas përfundimit të mbledhjes se Qeverisë foli para gazetarëve për përgatitjet e Qeverisë së Kosovës për  Konferencën e Donatorëve për Kosovën, që do të mbahet me 11 korrik në Bruksel.
 
Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi:

 
Delegacioni i Qeverisë së Kosovës në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, që organizohet për herë të parë për Kosovën, shkon shumë i përgatitur profesionalisht, me përgjegjësinë më të lartë shtetërore, bashkëpunimin shumë të ngushtë me gjithë faktorin relevant ndërkombëtarë, SHBA-të edhe me BE-në. Ju kemi bërë thirrje të gjitha vendeve për pjesëmarrje dhe mbështetje për Kosovën.
 
Projektet që ne do të prezantojmë janë projekte shumë mirë të përgatitura, të konsultuara me ekspertë vendor, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të opozitës dhe të shoqërisë civile. Falënderoj të gjithë për kontributin e tyre dhe besoj fuqishëm se prezantimi ynë do të jetë mjaft reflektues dhe Kosova do të jetë përfituese meritore nga kjo konferencë e parë për Kosovën si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.
 
Ne do të prezantojmë edhe suksesin e arritur në Kosovë; instalimin e qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, të respektimit të të drejtave të minoritarëve, të qeverisjes transparente, të zotimit tonë të përkushtuar në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; për kultivimin e demokracisë qytetare, për zotimin tonë për bashkëpunim shumë me të mirë me të gjitha vendet në rajon, edhe me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, e në të ardhmen e afërme demokratike, si dy shtete të veçanta, edhe me Serbinë. Do të prezantojmë qëllimin dhe vizionin tonë që Kosova të jetë pjesë e familjes euroatlantike, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian sa më shpejtë që është e mundur. 

Last modified: 9 Korrik, 2008

Comments are closed.