Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Vizita në SHBA – vizitë historike, e respektit dhe vulosjes së suksesit dhe progresit në Kosovë

16 Korrik, 2008

Prishtinë, 16 korrik 2008
 
Deklaratë e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi para nisjes për në vizitën zyrtare në SHBA, ku do të takohet me presidentin amerikan Xhorxh W. Bush.
 
Kjo është vizita e parë e delegacionit shtetëror më të lartë të Kosovës në Uashington me ftesën e presidentit Xhorxh Bush. Është vizita e parë pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është vizita historike e respektit dhe vulosjes së suksesit dhe progresit në Kosovë. E në të njëjtën kohë ne do të shprehim qëndrimet tona për procesin aktual që po kalojmë, për zotimet që kemi marrë para qytetarëve për paqen dhe stabilitetin në rajon. Por në të njëjtën kohë do ti shprehim edhe shqetësimet që ne mendojmë se janë aktuale dhe do të kërkojmë mbështetje të mëtutjeshme.
 
Roli, rëndësia dhe kontributi i SHBA-ve, i të gjitha administratave, që nga Bushi i vjetër, administrata Klinton, gjithashtu edhe tash administrata e presidentit Bush i riu ka qenë kruciale, ka qenë vendimtare për çlirimin, lirinë, progresin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. Prandaj, institucionet e Republikës së Kosovës, populli i Kosovës do ti jetë gjithmonë mirënjohës presidentit Bush, SHBA-ve, popullit amerikan dhe kjo miqësi jona do të jetë speciale, do të jetë e përhershme.
 
Prandaj, ne do të prezantojmë atje vullnetin e qytetarëve por edhe vizionin tonë për të ardhmen që Kosova të jetë pjesë e NATO-s, BE-së dhe natyrisht me raporte të ngushta, speciale, të shkëlqyeshme me Uashingtonin.

Last modified: 16 Korrik, 2008

Comments are closed.

×