Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Ne kemi qenë gjithmonë për dialog dhe fqinjësi të mirë, jemi edhe tani, por 6 pikëshi është i papranueshëm për institucionet dhe popullin e Kosovës

17 Nëntor, 2008

Prishtinë, 17 Nëntor 2008
 
Deklarata e plotë e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit.

 
Dëshiroj të falënderoj z. Fried për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për Kosovën, të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i tyre mbetet i pazëvendësueshëm për paqen, stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Ne do ti kultivojmë raportet e shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke qenë në të ardhmen e afërt edhe pjesë e familjes evropiane dhe pjesë e NATO-s.
EULEX ka qenë i mirëpritur, ka qenë i ftuar dhe do t’i japim mbështetje të plotë,  do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë, në mënyrë që të zgjerohet në tërë territorin e vendit, të ushtrojë të gjithë autoritetin e vetë në Kosovë, në të mirë të paqes dhe stabilitetit, të drejtësisë.
 
Ne do të respektojmë në përpikëri vendimin për Kosovën shtet i pavarur, sovran e demokratik, i cili ka ndodhur në bashkëpunim dhe në koordinim me të gjitha vendet e komunitetit ndërkombëtar, të përfaqësuara në atë kohë në procesin e negociatave me autoritetet ndërkombëtare dhe Beogradin. Në të njejtën kohë kemi punuar dhe po punojmë që të kemi raportet e shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe në të ardhmen e afërt demokratike edhe me Serbinë.
 
Ne kemi qenë gjithmonë për dialog dhe fqinjësi të mirë. Edhe tash jemi për dialog, i japim mbështetje të plotë EULEX-it, por kemi prezantuar me besimin më të lartë qëndrimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për 6 pikëshin, që është i papranueshëm për institucionet e Republikës së Kosovës dhe popullin e Kosovës.
 
Komandanti legjendar Adem Jashari personifikon të kaluarën, të tashmen edhe të ardhmen e Kosovës dhe vlerat që ai ka përfaqësuar dhe përfaqëson. Qëndrimi edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i vendeve të Bashkimit Evropian edhe i NATO-s tanimë dihet, është qëndrim mbështetës në përpjekjet tona për liri. Të gjitha këto procese të tranzicionit demokratik, edhe për shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur, demokratik, edhe për nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kushtetutë moderne.
 
Ne tani po flasim për një proces të ri, një proces që i takon të ardhmes. Ne gjithmonë do të ndërtojmë të ardhmen duke respektuar edhe të kaluarën. Por, dua të besoj se të gjithë njerëzit në Kosovë janë unik sa i përket këtij procesi gjashtë pikësh.
 
Kosova gjithmonë me partnerët dhe miqtë e vetë, SHBA-të, vendet e tjera të BE-së ka gjetur rrugë për dalje nga situatat, që dikush na ka futur në këtë situatë pa të drejtë. Mirëpo, në gjitha këto rrugë do të kemi konsultim dhe të gjitha hapat do të jenë të koordinuara në mënyrë që të ndërtojmë Kosovën moderne, demokratike me një shoqëri multietnike.   

Last modified: 17 Nëntor, 2008

Comments are closed.