Zyra e Kryeministrit

Kosova do të ecë me ritëm të shpejtë në rrugën e integrimeve euro-atlantike, – shprehet i bindur kryeministri Thaçi

29 Mars, 2008

Prishtinë, 29 mars 2008
 
Në takimet me ministrat e jashtëm të BE-së, rikonfirmova edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rendit demokratik, vendit multietnik, me të drejta të barabarta për minoritarët dhe respektimin afirmativ të tyre, për t’u integruar në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare – theksoi kryeministri Thaçi në një intervistë dhënë Televizionit Publik të Kosovës, nga Bërdo e Sllovenisë.
 
 
Në pyetjen e reporterit special të RTK-së lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi është përgjigjur:
 
Mikëpritja dhe njohja e shteteve të BE-së është impresionuese. Të gjithë e vlerësojnë suksesin e arritur në Kosovë, me shpalljen e pavarësisë, me menaxhimin e situatës dhe progresin e përbashkët të arritur me ndërkombëtarët.
 
De fakto Kosova është pjesë e Evropës, është duke implementuar suksesshëm kriteret demokratike për tu integruar në strukturat e NATO-s dhe të BE-së. Ishte konkludim i të gjithëve se  pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe stabilitet dhe bashkëpunim rajonal dhe një frymë të re evropiane për Kosovën, për rajonin.
 
Rikonfirmova edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rendit demokratik, vendit multietnik me të drejta të barabarta për minoritarët dhe respektim afirmativ të tyre për t’u integruar në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare. Gjithashtu, theksova paprekshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, si territor i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht.
 
Kishte mbështetje të plot për Kosovën dhe në të njëjtën kohë falënderova të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe vendeve përreth që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. I ftova edhe ato pak vende që kanë mbetur që ta njohin Kosovën, dhe për këtë kishte mirëkuptim.
 
Ritheksova edhe njëherë zotimet e Kosovës për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit.
 
Ishte konkludim i përbashkët se pavarësia e Kosovës ka sjell progres,  ka hapur perspektivë rajonit edhe zhvillim ekonomik të vendit dhe një perspektivë euro-atlantike. 
 
RTK: Z. Në konferencë për gazetarë z.Rupel mbështeti fjalën tuaj dhe tha se z.Thaçi u prezantua vërtetë si kryeministër  i një shteti multietnik.
 
Kryeministri Thaçi: Kam potencuar se Kosova po ndërton raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit: me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe ndërkohë presim të ndërtojmë raporte të mira në të ardhmen demokratike edhe me autoritetet në Serbi. 
 
Por, me këtë rast kam shprehur edhe shqetësimin e nxitjes së drejtpërdrejt të dhunës nga Beogradi, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe domosdoshmërinë e evitimit të kësaj politike të shekullit të kaluar dhe ndikimit të autoritetit evropian në mënyrë që Beogradi të fillojë definitivisht të reflektojë dhe të njoh realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe demokratik.
 
RTK: Ju gjatë ditës keni pasur takime të shumta: me z. Solana dhe ministra të vendeve të BE-së, si është pritur vizioni i Qeverisë së Kosovës për perspektivën evropiane të Kosovës ?.
 
Kryeministri Thaçi: Dua të them se Kosova është duke u respektuar maksimalisht. Të gjitha takimet që kam pasur, edhe me z. Solana edhe me  z. Oli Rehn, por edhe në takimin me z. Miliband , atë gjerman Steinmeier, atë të Francës Bernard Kushner dhe diplomatët tjerë, mund të them se është një mbështetje e jashtëzakonshme, e paparë ndonjëherë për ndonjë vend që aq shpejt është pavarësuar, është njohur dhe kjo njohje me këtë mbështetje të madhe të këtyre vendeve të fuqishme mendoj se do të jetë një njohje e cila do të ketë reflektimet e veta për gjithë rajonin.
 
Me këto njohje të shpejta Kosova do të jetë shumë shpejt pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtar, madje anëtare e OKB-së, anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.
 
RTK: Me këto takime që keni pasur do të thotë se Ju keni mbështetje të pa rezervë të BE-së dhe programi i Qeverisë suaj bazohet pikërisht në objektivat për të ecë përpara drejt integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian?  
 
Kryeministri Thaçi: Sot për herë të parë kam diskutuar me autoritetet evropiane, z, Havier Solana, z. Rehn dhe ministrat e jashtëm evropian për kohën, kur Kosova do të mund të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së.
 
Ky mirëkuptim, kjo hapje e diskutimit për integrimin e Kosovës  në strukturat euro-atlantike  është një diskutim në kohën kur vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga komuniteti evropian dhe bota demokratike, prandaj edhe e ardhmja e Kosovës do të jetë e ardhme e një vendi të zhvilluar, një vendi të integruar shumë shpejt në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Kosova do të ecë me një ritëm jashtëzakonisht të shpejt në këtë rrugë.
 
Intervistoi: Nuhi Bytyçi

Last modified: 29 Mars, 2008

Comments are closed.

×