Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit në darkën me donatorë

13 Mars, 2008

Prishtinë, 13 mars 2008
 
I nderuari z. Ruecker, z. Feith, përfaqësues të ambasadave dhe zyrave diplomatike në Prishtinë, drejtues të agjencive donatore, përfaqësues të Agjencive zhvillimore të OKB-së dhe të Komunitetit Financiar Ndërkombëtar, zonja dhe zotërinj,
 
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj mirëseardhje të gjithëve në këtë darkë pune të cilën e kemi planifikuar qe një kohë. Jam i kënaqur që mund të takohemi bashkë në këtë forum, për të ndarë me ju vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës. Kosova është mirënjohëse për praninë e donatorëve ndërkombëtarë e bilateralë në Kosovë, që na bën të ndihemi optimistë për të ardhmen.
 
Fillimisht, do të doja ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë ju për mbështetjen që keni dhënë për zhvillimin ekonomik të Kosovës që nga viti 1999. Ndërtimi i shtetit nuk është gjë e lehtë. Ju na keni ndihmuar që ne të hedhim hapat e parë fillestarë të zhvillimit të vendit. Duke iu falënderuar juve, ne kemi parë përparim ekonomik që nga viti 1999, por gjithashtu kemi mësuar si t’i bëjmë gjërat më mirë, më shpejtë dhe më lirë. Gjithashtu të vetëdijshëm për domosdoshmërinë që Kosova të ketë institucione të përgjegjshme, transparente dhe efektive në mënyrë që të jetë vërtetë shtet demokratik dhe shumetnik.
 
Së dyti, do të donim të ndajmë me ju vizionin tonë për zhvillimin e Kosovës. Ky vizion buron nga realitetet ekonomike dhe nevojat zhvillimore të Kosovës. Kemi shtrëngesa të caktuara, por kemi edhe mundësi të shumta. Ministri i Financave, z.Ahmet Shala do të ofrojë pas pak një prezantim të hollësishëm për ju, të cilin tanimë e kemi ndarë me disa nga ju në Bruksel gjatë muajit shkurt, por para se ai ta bëjë këtë, më lejoni të ndaj me ju disa mendime që formojnë shtyllën kurrizore të qeverisë sonë dhe disa prej prioriteteve që do të mbesin në thelb të agjendës sonë.
 
Qeveria e Kosovës përbëhet nga individë të aftë, energjikë, punëtorë dhe të talentuar, që janë entuziastë për punën e tyre. Këto ka qenë kriteret më të rëndësishme për përzgjedhjen e ministrave. Ministrat dhe ekipet e tyre presin me padurim të punojnë bashkë me ju për të dalë me ide kreative, për të konceptuar qasje praktike dhe për të ofruar zgjidhje inovative. Ata janë këtu për të gjetur zgjidhje për problemet – jo për të krijuar probleme – dhe janë përgjegjës për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme. Ata vijnë nga grupet e ndryshme etnike në Kosovë gjë që na bën vërtetë qeveri shumetnike.
 
Qeveria jonë e konsideron planin e Ahtisarit si pikë nismëtare për reformat politike dhe ekonomike. Ne shohim të ardhmen tonë në strukturat euroatlantike. Qeveria dëshiron ta vë Kosovën në rrugë të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Objektivi ynë është përfshirja në dialogun me partnerët tanë evropianë, për të ndërtuar raporte të qëndrueshme midis nesh. Ne besojmë në stabilitetin rajonal, dhe do të bëjmë çmos për të qenë pjesë e stabilitetit politik në Evropën Juglindore.
 
Qeveria jonë e konsideron Konferencën e ardhshme të Donatorëve si takimin më të rëndësishëm në historinë e Kosovës për një kohë të gjatë. Ne e vlerësojmë lartë partneritetin e Bankës Botërore, të Komisionit Evropian dhe donatoreve tjerë të angazhuar në proceset zhvillimore në Kosovë. Ata mbesin aleatët tanë më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë me ta dhe me ju për të pasur një konferencë donatorësh sa më produktive dhe të suksesshme. Jemi duke përgatitur Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve që do të identifikojë në mënyrë të qartë dhe do të arsyetojë prioritetet tona për 3 vitet e ardhshme, do të shërbejë si bazë për konferencën si dhe buxhetet tona vjetore gjatë këtyre tri viteve.
 
Qeveria jonë ka identifikuar gjashtë prioritete kryesore nga një shkallë e gjerë prioriteteve zhvillimore, që do ta vendosin Kosovën në rrugën e rritjes ekonomike dhe prosperitetit. Ato janë (a) vendosja e sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit, (b) shfrytëzimi i resurseve tona natyrore për prodhim të energjisë, (c) përmirësimi i rrjetit tonë të transportit, (d) përmirësimi i cilësisë së arsimit, (e) zvogëlimi i varfërisë dhe krijimi i stabiliteti social, dhe (f) investimi në bujqësi dhe zhvillimin rural. Këto prioritete janë janë të ndërlidhura dhe do të shqyrtohen në hollësi në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Këto i konsiderojmë si motorët kryesorë për rritje të shpejtë në Kosovë, që do të zvogëlojnë varfërinë, papunësinë dhe do të nxisin zhvillimin e sektorit privat.
 
Qeveria jonë beson që duhet të kemi një kornizë të qëndrueshme politike dhe ekonomike, para se të fillojmë të diskutojmë në hollësi lidhur me prioritetet brenda sektorëve. Falënderojmë për kontributin e tyre në zhvillimin e kornizës makroekonomike, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Komisionin Evropian, USAID-in, DIFID-in, SIDA-n, Agjencitë e OKB-së, dhe të gjitha agjencitë tjera që nuk mund ti përmend tani (pasi që lista e tyre është e gjatë), në rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e politikave sektoriale.
 
Qeveria është e përkushtuar për të marrë përsipër udhëheqjen dhe pronësinë mbi politikat dhe strategjitë zhvillimore, me përgjegjësi të plota për planifikim, ekzekutim dhe monitorim të zhvillimit. Jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më tepër në monitorimin e ndihmës për zhvillim, në vlerësimin e projekteve dhe në të siguruarit që fondet për zhvillim nuk do të humbasin dhe nuk do të shpenzohen kot. Do të sigurojmë që ndihma për zhvillim do të jetë e drejtuar nga politikat dhe që do të absorbohet si duhet nga institucionet e Kosovës.
 
Qeveria beson gjithashtu në partneritet të fuqishëm me vendet tuaja përkatëse, dhe synon të komunikojë me vendet prej nga vini ju, për forcim të bashkëpunimit dypalësh dhe për forcim të marrëdhënieve tona ekonomike, politike e sociale. Në këtë drejtim, çmojmë lartë kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm në njohjen e shpejtë të Kosovës. Por, këtë njohje të Kosovës duhet ta përplotësojmë duke ndërtuar marrëdhënie të fuqishme ekonomike, komerciale, tregtare dhe sociale.
 
Më lejoni ta përmbyll fjalën time duke thënë që qytetarët e Kosovës kanë një vizion madhor dhe synime të larta. Populli i Kosovës është një popull energjik, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo gjendjen ekonomike. Rruga para nesh është e gjatë, por jam i sigurt që me mbështetjen tuaj dashamirëse do të jemi në gjendje të ecim përpara së bashku. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për të siguruar që Kosova është një rrëfim suksesi për Evropën dhe për Botën.
 
Tani ia kaloj fjalën Ministrit të Financave i cili do t’ju japë më tepër hollësi rreth vizionit tonë. Ju faleminderit shumë dhe ju bëftë mirë darka! 

Last modified: 13 Mars, 2008

Comments are closed.

×