Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Me Kushtetutën e Kosovës kemi mbrojtur vlerat e ndërtimit të shtetit tonë

6 Prill, 2008

Fjala e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Hajredin Kuçi, në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 
 
I nderuari z.President,
Kryetar i Kuvendit,
Zoti Kryeministër,
Z. Ryker,
Z, Feith
E nderuara Tina,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit dhe të Qeverisë,
Te nderuar kryetarë të Komunave,
Të dashur anëtarë te Komisionit Kushtetues
Zonja dhe zotërinj,

 
Jam tejet i nderuar që në emër të Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës, që natyrisht sot jemi te emocionuar, ngase kemi kënaqësi të rrallë,të veçantën në historinë tonë si njerëz dhe si shtet, që në këtë solemnitet ta nënshkruajmë zyrtarisht projekt Kushtetutën e Republikës së Kosovës para Jush, qytetarëve te Republikës sonë dhe botës demokratike.
 
Në emër tim dhe të Komisionit Kushtetues u dëshiroj mirëseardhje secilit prej Jush në këtë solemnitet, në veçanti Ju që ndihmuat dhe përkrahet këtë proces aq me rëndësi, Ju që jeni në ketë sallë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët morën pjese aktive në procesin e hartimit përfundimtar, dhe gjithë juve që përkrahët paqen, drejtësinë, lirinë dhe demokracinë në Kosovë përkrahje kjo që na mundësoi të bëjmë këtë Kushtetutë që po e nënshkruajmë sot.
 
Zonja zotërinj,
Me të drejtë Hygo thoshte:”asgjë nuk ka më të madhe se ideja” edhe unë sot më shumë se kurrë i bindem kësaj.
 
Që nga koha e idesë për këtë projekt madhor me anëtarët e Komisionit, na ka mbuluar një ndjenjë e përzier, ajo e largësisë së realizimit të saj dhe vetë kureshtja për ta pasur privilegjin të jem kryetar, respektivisht anëtar, në këtë komision të rëndësishëm profesional e kombëtar, dhe pikërisht sot në këtë aktivitet të rrallë dhe të nderuar të punës sonë, ne ndihemi të lumtur dhe krenar.
 
Tani për të gjithë ne është e qartë se nuk mund të ndërtohet paqja dhe prosperiteti i përgjithshëm pa ide të përgjithshme historike dhe njerëz që i realizojnë ato. Liria është burim i çdo kuptimi dhe vlere, është kusht i domosdoshëm i çdo arsyeje për ekzistencë.
 
Edhe sot me këtë akt solemn ne po e çmojmë luftën për lirinë e fituar, paqen dhe po marrim përgjegjësinë për të ndërtuar të ardhmen për të gjithë në këto hapësira të shtetit tonë të pavarur dhe demokratik.
 
Zonja dhe zotërinj
Të nderuar qytetarë të republikës,
Kam kënaqësinë t’u njoftojë se ne, Komisioni Kushtetues i Republikës se Kosovës, jemi përpjekur që gjithë fuqinë tone njerëzore dhe intelektuale ta bartim tek ky draft i Kushtetues sonë.
 
Mbi bindjet tona partiake, etnike dhe profesionale ka dominuar ndjenja dhe nevoja e përbashkësisë për shtetin dhe qytetarët tanë. Idealet e mëdha dhe dijet e nxëna në jetë na bashkuan si njerëz që e duam paqen, lirinë, demokracinë dhe prosperitetin, si njerëz që duam Kosovën e qytetëruar dhe me të ardhme.
 
Ne ishim me fat qe kishim përkrahjen e Presidentit, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit,të të gjitha partive politike, të shoqërisë civile dhe besoj, të qytetarëve të mbarë vendit dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
 
 
Zonja dhe zotërinj,
Me këtë Kushtetutë ne po qëndrojmë në mes të dëshirës për kërkimin dhe vënien në vend të së vërtetës dhe të drejtësisë dhe dëshirës sensitive për çështje praktike për përgatitjen e njerëzve dhe të shtetit tonë për të ardhmen.
 
Ne po mundësojmë që njerëzit dhe shteti ynë të marrin të ardhmen në duart e veta dhe i thërrasim ata për mbështetje për punët që janë bërë në përputhje me kohën. Ne, jo vetëm që po e përshkruajmë botën, por po duam ta ndryshojmë atë. Qëllimi ynë në këtë Kushtetutë më shumë se juridik dhe politik është fisnik. Ne kemi tentuar ngritjen e ideve te përgjithshme në qëndrime të shoqërisë.
 
Zonja dhe zotërinj,
Kushtetuta jonë synon që të krijojë njerëz të cilët në kujtesë do të kenë eksperiencat dhe respektin e ndërsjellët për njeriun dhe vendin gjatë tërë jetës se tij, të krijojë mundësi të reja, shërbime të kërkuara prej tij për vendin, kontakte të lehta dhe integrime të qytetarëve tanë dhe vendit.
 
Është Kushtetutë e mundësive jo e pengesave. Dhe nëse i kemi arritur këto na bëhet se ia kemi arritur qëllimit në funksion të të cilave do të jemi përherë.
 
Kemi mbrojtur hapur dhe fuqishëm vlerat të cilat duhet ta sundojnë shtetin tonë në përputhje me botën e civilizuar, dhe mbi të gjitha të ndërtojmë të ardhmen.
 
Kjo Kushtetutë do të respektojë te drejtat e secilit qytetarë të Republikës duke u nisur nga premisa se, asnjëherë askush nuk do te jetë vërtet i lire derisa të gjithë njerëzit do të mund t’i gëzojnë të njëjtat liri.
 
Jemi inspiruar nga shumë hartues dhe kushtetuta të vendeve moderne dhe demokratike ku edhe i kemi krahasuar,duke respektuar edhe traditën juridike të vendit tonë.
 
Në veçanti nga baballarët amerikanë që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë me 1776, sidomos në fjalët e shkruara në verën e nxehtë nga Xhefersoni ku ndër të tjera theksohet:”ne i marrim këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se te gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe se ata janë të pajisur nga krijuesi i tyre me të drejta të caktuara të patjetërsueshme, në mes tyre janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”.
 
Zonja dhe zotërinj,
Me këtë Kushtetutë ne do të ndihmojmë demokracinë dhe jo atë vetëm si demokraci në përgjithësi, por si demokraci për mundësi, për zhvillim, për të ndërtuar identitetin e përbashkët dhe për të përgatitur gjeneratën e re që të udhëheq çështjet e tyre dhe për të sunduar vetveten në dekadat dhe shekujt që vijnë, që Republika jone të jetë një shtet ku njerëzit planifikojnë të ardhmen e tyre, duan të jetojnë në këtë shtet dhe të krenohen me të.
 
Zonja dhe zotërinj,
Ne Komisioni Kushtetues, krenohemi me Kushtetutën. Ne kemi arsye të mburremi me shtetin dhe me qytetarët tanë. Edhe Republika jonë edhe qytetarët tanë, besojmë do të ndihen mirë dhe të plotë me Kushtetutën e tyre. Ne jemi pjesëtarë të vlerave të së mirës së shtetit tonë dhe jo mohimit të askujt dhe asgjëje, as sot as për brezat që vijnë. Me këtë Kushtetutë kemi mbrojtur vlerat e ndërtimit të shtetit tonë, të krijimit të mundësive te barabarta për të gjithë dhe të kërkimit të përgjegjësive.
 
Fjalët tona të shkruara gjatë hartimit të Kushtetutës kanë qenë të matura, ato kanë shprehur mendime të cilat kanë rrjedhur si ndeshje e disa objekteve në mendjet tona dhe debateve brenda komisionit dhe me qytetarë. Ne presim mbështetjen dhe do t’i respektojmë mendimet e deputeteve dhe të qytetarëve se si do ta vlerësojnë dhe shqyrtojnë këtë Kushtetutë. Shpirti racional ka fuqinë e shqyrtimit. I lus të gjithë ta bëjnë të njëjtën gjë dhe ta mbështesin këtë Kushtetutë.
 
Zonja dhe Zotërinj,
Edhe një herë  dua t’u falënderojë nga thellësia e zemrës për mbështetjen dhe për të gjithë atë që keni bërë që sot të prezantojmë këtë Draft Kushtetues të Republikës sonë.
 
Dua të falënderojë për ndihmën edhe të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Në veçanti dua që në emër të Komisionit Kushtetues të falënderojë USAID-in dhe ICO/në për mbështetje të vazhduar, falënderime të veçanta për ekspertët si Gjyqtari Tunhaim, Prof.Lusi dhe Prof.Kristi për ekspertizat e tyre të shkëlqyeshme, z.Rikardo dhe Naqinhard nga ICO-ja, për ekspertizë znj.Tina dhe Jonnas, por me heret edhe Torbion për mbështetjen dhe z.Piter Feith që ka dhënë pëlqimin dhe mbështetjen e plotë që nga fillimi mandatit të tij. Falënderim të veçantë për një njeri që ka pasur durimin të na dëgjojë ,që ka punuar me aq përkushtim dhe që është lidhur emocionalisht me këtë Kushtetutë po aq sa ,z.Jon Alello.Poashtu edhe asistenten e tij Gresa Cakën si dhe stafin administrativ, përkthyesit dhe lektorët.
 
Të nderuar anëtarë të Komisionit Kushtetues,
Besoj shumë që idealet tona të përbashkëta kanë zëne rrënjë në këtë Kushtetutë dhe asnjëherë nuk do të zbehen. Me këtë Kushtetutë qytetarëet e Republikës do të jenë më të lumtur apo sikur thoshte Monteskije se ”nuk ka qëllim më të bukur se sa të punosh që njerëzit të cilët vijnë më pas, të jenë me të lumtur se sa ishim ne” .besoj se ia kemi arritur që shteti ynë do të jetë pjesë e shteteve dhe popujve të përparuar.
 
Ju falënderoj të gjithëve veç e veç për tërë atë punë, përkushtim, atë kohë, për durimin, respektin ndaj meje dhe njëri-tjetrit, seriozitetin, përgjegjësinë dhe ato mendime që keni dhënë në qindra takime. Jam ndier mirë dhe me fat që kemi punuar bashkë. Do ta kujtojë tërë jetën me respekt punën e përbashkët, dhe do të jeni model i punës sime në të ardhmen.
 
Ju faleminderit për vëmendje.

Last modified: 6 Prill, 2008

Comments are closed.

×