Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kushtetuta, dokument i garantimit të lirisë

7 Prill, 2008

Fjala e kryeminstrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e nënshkrimit të Kushtetutës së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare, 7 prill 2008
 
I nderuari President Sejdiu
I nderuari Kryeparlamentar Krasniqi,
I nderuari z. Ryker,
I nderuari z.Feith,
E nderuara Tina Kaidanov, shefe e zyrës amerikane,
Të nderuar shefa të zyrave të tjera diplomatike,
Anëtarë të Komisionit Kushtetues,
Anëtarë të Kryesisë së Kuvendit dhe Qeverisë,
Kryetarë të Komunave,
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Kam nderin që në emër të Qeverisë së Pavarësisë së Kosovës t’Ju përgëzoj për nënshkrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
 
Sot po e bëjmë legjitimimin e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, datë 17 shkurt 2007.
 
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është vullneti ynë – sepse buron nga vullneti qytetarëve të Kosovës.
 
Kosova për herë të parë në historinë e saj politike po nxjerr Kushtetutë sipas vullnetit të qytetarëve të saj.
 
Kushtetuta është shpresa jonë – sepse hap perspektivë për të ardhmen tonë më të mirë.
 
Kushtetuta është Besimi ynë, sepse shoqëritë demokratike i mbanë të bashkuara Besimi në Kushtetutën.
 
Kushtetuta e Re është vlera e lirisë sonë, sepse në shoqëritë demokratike Patriotizimi më i lartë është Besimi, respekti dhe bindja ndaj Kushtetutës.
 
Kushtetuta është identiteti ynë- sepse populli ynë ka luftuar gjatë për lirinë.
 
Kjo Kushtetutë është dokumenti i garantimit të Lirisë.
 
Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë.
 
Kjo Kushtetutë është dokumenti, është vula e shtetit.
 
Kemi bërë përpjekje të shumta dhe meritore për dinjitet.
 
Kjo Kushtetutë i garanton çdo qytetari të Kosovës dinjitetin.
 
Sheteti ynë i ri dhe demokratik çdo ditë po bëhet më funksional dhe efektiv, po rregullon jetën e vetë juridike dhe politike ngjashëm me ato të gjithë botës demokratike.
 
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, procesin e së cilës e kam përcjell që nga fillimi, paraqet një kontratë në mes të qytetarëve për ngritjen dhe ushtrimin e politikave publike.
 
Kushtetuta në Kosovë për kohë të gjatë ka qenë akt juridk dhe politik, por edhe emocional.
 
 
Ne sot, të gjithë, ndihemi të lumtur dhe të përgjegjshëm, që po bëjmë Kushtetutë që institucionalizon pushtetin, e kufizon dhe ndan atë, dhe krijon bazë për ndërtimin e sistemit politik, ekonomik dhe qytetar.
 
Kushtetuta e Re do të përckatoje sistemin e qeverisjes, vlerat themelore në shoqëri, liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ushtrimin e së drejtës në shtetin e e Kosovës.
 
Me këtë kushtetutë krijohen mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
Po bëhet një hap me shumë për respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe plotësimit të zotimeve ndërkombetare për të drejtat e komuniteteve në shtetin tonë.
 
Qytetarët e Kosovës me këtë Kushtetutë marrin siguri për të drejtat dhe obligimet e tyre dhe trajtohen njëjtë, si në çdo shtet demoraktik.
 
Është hera e parë që Kosova nxjerr Kushtetutën e vet, pa frikë për askënd dhe me mundësi të barabrata dhe të avancuara për të gjithë.
 
I përgëzoj anëtarët e Komisionit Kushtetues për punën e madhe që kanë bërë në partneritet me ndërkombëtarët.
 
Qeveria e Kosovës do ta mbështesë fuqishëm këtë draft për miratim në Kuvend, dhe zotohet se do ta respektojë me përpikëri.
 
Edhe një herë Ju përgëzoj dhe uroj, – Ju dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për Kushtetutën e tyre.

Last modified: 7 Prill, 2008

Comments are closed.

×