Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi: Kushtetuta fuqizon Republikën tonë si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm

9 Prill, 2008

Prishtinë, 9 prill 2008
 
Fjala e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës z.Hajredin Kuçi në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
 
Faleminderit Kryetar i Kuvendit,
I nderuari z. President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar deputet,
z. Ryker,
Z. Feith
Të nderuar përfaqësues ndërkombëtar,
Te nderuar anëtarë të Qeverisë,
Të dashur anëtarë të Komisionit kushtetues
Zonja dhe zotërinj,
 
Ndihem me fat sot që në emër të Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës, që kam kënaqësi të rrallë, të veçantën në jetë si njeri dhe si vend, për herë të parë në Kosovën e pavarur dhe sovrane, para jush deputetë të nderuar të Kuvendit të Republikës, para qytetarëve të Republikës sonë dhe botës demokratike të prezantoj Draft Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
 
Sot  me ketë akt, më të lartin të shtetit tonë ne po e çmojmë luftën për lirinë dhe pavarësinë  e fituar, paqen dhe po marrim përgjegjësinë të ndërtojmë të ardhmen  për të gjithë ne dhe gjeneratat që vijnë në shtetin tonë të pavarur dhe demokratik.
 
Të nderuar deputet,
Ne, komisioni kushtetues i Republikës, çmojmë rrugëtimin tonë plotë sakrifica dhe tragjedi, por edhe krenari si popull dhe si njerëz gjatë shekullit,
 
Çmojmë  të gjithë ata që synim kishin lirinë, pavarësinë, barazinë, demokracinë, republikën dhe kushtetutën që ranë në altarët e lirisë, Ju që jeni në këtë sallë dhe gjithë qytetarët e Kosovës të cilët morën pjesë aktive në shtet-ndërtimin tonë dhe botën demokratike që përkrahu paqen, drejtësinë, lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. Ky rrugëtim   mundësoi te bëjmë këtë Kushtetute qe po e miratojmë sot. Dhe, ne si komision kushtetues i Republikës punën tonë në hartimin e Kushtetutës dhe këtë kushtetute ua dedikojmë qytetarëve të Republikës sonë, të rënëve dhe të gjallëve.
 
 
Deputet te nderuar,
Zonja dhe zotërinj,
 
Me lejoni të prezantoj shkurtimisht përmbajtjen e Kushtetutës sonë e cila ka 14 kapituj dhe 162 nene, që kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne,te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale.
 
Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona,në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve.
 
Kushtetuta fuqizon Republikën tonë si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
 
Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara.
 
Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e definuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij.
 
Kosova jonë është definuar Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit dhe baraspeshës ndërmjet tyre, duke definuar Kuvendin si organin me të lartë legjislativ,Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve,me qeveri e cila është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe të politikave shtetërore dhe që i përgjigjet kontrollit parlamentar. Me këtë Kushtetutë kemi institucionalizuar pushtetin, por edhe kemi bërë kufizimin e tij
 
 
Kushtetutën e kemi kuptuar si kontratë ndërmjet qytetarëve për ngritjen dhe ushtrimin e politikave publike
 
Me këtë Kushtetutë shteti ynë ka rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes,demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, mos-diskriminimit ,të drejtës për pronën,mbrojtjes së mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ekonomisë së hapur të tregut, barazisë.
 
Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.
 
Shtetasit tanë brenda dhe jashtë vendit do të kenë garanci kushtetuese dhe kujdesin e shtetit të tyre..
 
Republika jonë si subjekt ndërkombëtar, ka mundësi të bëjë marrëveshje ndërkombëtare dhe të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë. Ne marrim obligime për respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
 
Të nderuar deputet,
Zonja dhe zotërinj,
 
Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë një kapitull i rëndësishëm i kësaj kushtetute ku garantohet respektimi, mbrojtja dhe përmbushja nga ana e shtetit të Kosovës sipas standardeve më të larta ndërkombëtare
 
Një kapitull i veçantë janë të drejtat e komuniteteve duke i përcaktuar parimet e këtyre të drejtave, përgjegjësitë e shtetit për këto të drejta,institucionet adekuate dhe përfaqësimin e komuniteteve në institucione publike në nivel qendror dhe komunal. Këto të drejta burim kane pasur dokumentin e presidentit Ahtisaari.
 
Sistemi i drejtësisë garantohet me këtë kushtetutë. Pushteti gjyqësor është unik,i pavarur, i drejtë, i paanshëm, apolitik dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
 
Një Institucion i ri dhe i pavarur është Gjykata Kushtetuese si autoritet përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe për te gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Të nderuar deputetë,
 
Republika e Kosovës me këtë Kushtetute garanton ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë dhe siguron pronën private dhe publike, si dhe siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe ndërmarrjet vendore dhe të jashtme. Garantohet konkurrenca e lirë, mbrojtja e konsumatorëve por edhe obligimi i qytetarëve që të paguajnë tatimet dhe kontributet e parapara me ligje.
 
Kushtetuta obligon që shpenzimet e financave publike dhe mbledhja e tyre duhet te bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës. Pra taksapaguesi ynë do te njoftohet për shpenzimin publik të  parave të tyre. Edhe përdorimi i pasurisë dhe burimeve natyrore garantohen me kushtetutë.
 
Qeverisja lokale garantohet si nivel i pushtetit që bazohet në qeverisje të mirë, transparencë, efikasitet dhe efektivitet në ofrimin e shërbimeve publike.
 
Të nderuar deputetë,
 
Republikës sonë i garantohen institucionet e plota të sigurisë, të cilat do të kenë kontroll civil dhe demokratik. Forca e Sigurisë se Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë se Republikës sonë me të drejtë të dërgoje trupat e saj jashtë vendit në misione paqësore. Kjo forcë do të jetë profesioniste.
 
Republika e Kosovës do të ketë edhe Këshillin e Sigurisë  si institucion që përgatite strategjinë e sigurisë së Republikës sonë.
 
Republikës sonë i garantohet funksionimi i policisë profesionale, si Agjencia e  Kosovës për inteligjence si dhe Autoriteti Civil i Aviacionit si institucion që ofron shërbime te navigacionit ajror.
 
Institucionet e Pavarura: si Avokati i Popullit, Auditori i përgjithshëm, Komisioni Qendror Zgjedhor, Banka Qendrore, Komisioni i Pavarur i Mediave si institucione te krijuara nga Kuvendi me të cilat garantohet pavarësia nga çdo organ apo autoritet tjetër ne Republikën e Kosovës. Me ligj mund të themelohen edhe agjencitë tjera që Kuvendi i konsideron të domosdoshme.
 
Kjo Kushtetutë ka dispozitat përfundimtare që japin një pasqyrë për interpretimin dhe amandamentimin e Kushtetutës.
 
Karakteristikë e kësaj Kushtetute janë dispozitat kalimtare që normojnë gjendjen ekzistuese nën mbikëqyrje ndërkombëtare të shtetit tonë dhe bashkëpunimin në mes institucioneve vendore dhe prezencës ndërkombëtare, por janë edhe mundësi që me kalimin e fazës së transicionit këto kompetenca te përfundojnë – të  shfuqizohen pa prekur esencën e Kushtetutës.
Është theksuar që kjo Kushtetutë hyn në fuqi me 15 qershor të këtij viti dhe nëse lexojmë dispozitat e kësaj Kushtetute ajo nënkupton se me hyrjen në fuqi të gjitha institucionet ekzistuese të Kosovës marrin kompetencat në përputhje me këtë Kushtetute, pra kompetencat e plota shtetërore.
 
Të nderuar deputetë,
 
Ne po mundësojmë që të normohet ambienti dhe shteti ku jetojmë, ju thërrasim për  mbështetje për projektin qe është bërë në përputhje me kohën e shtet-ndërtimit tonë dhe zotimeve ndërkombëtare qe ka bërë Republika e Kosovës.
 
Besojmë shumë se kjo Kushtetutë do të forcoj lirinë, pavarësinë, prosperitetin dhe demokracinë e shtetit tonë. Kjo Kushtetute mbron hapur dhe fuqishëm vlerat që duhet ta sundojnë shtetin tone në përputhje me botën e civilizuar.
 
Kjo Kushtetutë do të respektoj të drejtat e secilit qytetar të Republikës duke u  nisur nga premisa se asnjëherë askush nuk do te jetë vërtet i lirë, derisa të gjithë njerëzit të mund ti gëzojnë të njëjtat liri.
 
Jemi inspiruar nga shumë hartues dhe Kushtetuta të vendeve moderne dhe demokratike ku edhe i kemi krahasuar, duke respektuar edhe traditën juridike të vendit tonë.
 
 
Te nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar qytetarë të Republikës,
 
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se ne, Komisioni Kushtetues i Republikës së Kosovës, jemi përpjekur që gjithë fuqinë tonë njerëzore dhe intelektuale ta bartim me kujdes tek ky draft i Kushtetutës sonë.
 
Mbi bindjet tona partiake, etnike dhe profesionale ka dominuar ndjenja dhe nevoja e përbashkësisë për shtetin dhe qytetarët tanë dhe draftin sot që e kemi prezantuar e kemi miratuar me konsensus të plotë.
 
 
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe zotërinj
Të nderuar anëtarë të komisionit Kushtetues,
 
Me lejoni në fund që t’ju ftoj ta aprovoni këtë Kushtetutë, me bindje se është një akt, bazament i shtetit tonë qe forcon institucionet e Kosovës sonë dhe bindjen e bashkësisë ndërkombëtare për zotimet tona dhe jep orientimin tonë si vend përkrah shteteve të përparuara. Me lejoni te falënderoj Presidentin, Kryeministrin, kryeparlamentarin, të gjitha partitë politike, gjithë qytetarët e Kosovës dhe ekspertet vendor dhe ndërkombëtarë për mbështetjen e plotë, të sinqertë dhe shume cilësore, në veçanti anëtarët e Komisionit  për punën e përbashkët, përkushtimin e madh, kohën e gjatë, për durimin, respektin për mua dhe njëri- tjetrin, përgjegjësinë dhe ato mendime qe keni dhënë në qindra takime.
 
Dhe sot ashtu sikur kemi thënë, kemi bërë një kushtetute për asnjërin veç e veç, por për te gjithë ne në shtetin tonë.
 
Ju faleminderit për vëmendje.

 

Last modified: 9 Prill, 2008

Comments are closed.

×