Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë sonë të përbashkët – ajo garanton lirinë tonë

9 Prill, 2008

Prishtinë, 9 prill 2008
 
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës z.Hashim Thaçi në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës
 
I nderuar President Sejdiu
Kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Krasniqi,
Deputetë,                                                                        
Ministra,
Të nderuar mysafirë,
Zonja e Zotrinjë,
Qytetarë të Kosovës
 
Me 17 shkurt 2008 në këtë kuvend të respektuar, ne shpallëm Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky vendim historik dhe i papërseritshëm u përcoll me njohjen e shtetit të Kosovës nga shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës.
 
Kështu ne krijuam realitet të ri dhe ky realitet do të marrë mbështetje edhe më të madhe dhe të fuqishme sot me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kosova shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, prandaj kjo kushtetutë është e jona.
 
Republika e Kosovës është shoqëri shumë-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera. Vlerat fundamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës.
 
Ajo çfarë po bëjmë ne sot, është edhe një hap tjetër historik në rrugën tonë për të ndërtuar shtetin tonë të qëndrueshëm, me qeverisje stabile dhe demokratike – Kosovën e pavarur, sovrane dhe krenare. Duke e miratuar këtë kushtetutë, ne vendosim për të drejtat e qytetarëve tanë dhe përgjegjësitë e qeverisë sonë, të cilat janë themelet e zhvillimit të vendit tonë.
 
Kushtetuta jonë nuk është imitim i formave tjera të qeverisjes. Kjo kushtetutë që po miratojmë sot është vet evoluimi i historisë sonë të përbashkët.
 
Kushtetuta e jonë  e përcakton qartë shpresën, optimizmin, besimin dhe të drejtat tona, të cilat ne fuqimisht i mbështesim dhe të cilat na mbajnë të bashkuar.  Kushtetuta jonë do ta mbajë vendin dhe popullin tonë të bashkuar. Kushtetuta jonë iu mundëson qytetarëve tanë që të marrin frymë në mënyrë të barabartë përpara ligjit. Ajo i mbron privilegjet e drejta dhe liritë e të gjithë shtetaseve, pavarësisht përkatësisë etike, religjionit apo bindjeve politike.
 
Legjitimiteti i qeverisjes sonë buron nga pajtueshmëria e çdo qytetari tonë për të qeverisur në mënyrë të drejtë. Kushtetuta jonë nuk është dokument që iu thotë atyre se çfarë mund të bëjë ajo vet, por ajo iu tregon qytetarëve se çfarë mund të bëjë qeveria – ndërsa qeveria nuk mund të bëj asgjë më shumë nga ajo çfarë është përcaktuar me anë të kësaj kushtetute.
 
Llogaridhënia dhe përgjegjësitë, qeverisja e kufizuar, ndarja e kompetencave janë disa nga elementet fundamentale të sistemit kushtetues, të cilat garantojnë se asnjë nga fushat e qeverisjes, si e vetme nuk mund të sigurojë ruajtjen e të drejtave tona. Mbrojtësi më i madh i të drejtave tona është vetëm sistemi ynë kushtetues i tërësishëm.
 
Në kushtetutën tonë, gjërat janë të balancuara. Dhe, kjo është arsyeja kryesore se pse sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur. Por, kjo është edhe arsyeja se përse ai duhet të jetë i përmbajtur. 
 
Jam shumë i bindur se kushtetuta jonë do të jetë e qëndrueshme, do të jetojë edhe në kohë të zhvillimit, por edhe në kohë të vështira. Kushtetuta jonë nuk do të ekzistojë thjesht si një plan për qeverisje. Ky dokument që po miratojmë sot do të jetë gjithmonë diçka më tepër për ne, diçka e mbushur me një ndjenjë më të thellë dhe jo vetëm një admirim i thjeshtë. Kjo kushtetutë është një marrëveshje që po bëjmë jo vetëm për veten tonë, por për gjithë njerëzit tanë.
 
 
Në rrugën tonë për liri, drejtësi dhe demokraci ne kurrë nuk kemi qenë të vetmuar. Përkrah vazhdimisht kemi pasur dhe do t’i kemi miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët mbështesin fuqishëm dëshirën dhe vullnetin tonë për t’i mbrojtur dhe avancuar vlerat e përbashkëta të qytetërimit. Unë ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë në emër të qytetarëve të Kosovës, për gjithcka që keni bërë dhe po bëni për vendin tonë.
 
Kohët që po jetojmë janë vërtetë historike. Ne nuk po përcjellim ngjarjet, por kështu bashkë po e bëjmë historinë. Librat e historisë do të shkruajnë për gjërat që po bëjmë ne sot. Kushtetuta e Republikës së Kosovës – garanton lirinë tonë.  Secili nga ne ka të drejtë të ndihet krenarë që është pjesë e kësaj ngjarje të madhe.
 
Kushtetuta e Republikës së Kosovës – ofron edhe më tepër Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
 
Unë jam krenar që jam i pranishëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe si kryeministër i Qeverisë së Pavarësisë së Kosovës,  kam mundësinë që t’iu ftoj që ta miratojmë njëzëri Kushtetutën tonë, e cila do të mbetet përgjithmonë testamenti i guximit dhe dëshirës për liri të popullit tonë – do të mbetet testament për një jetë më të mirë për të gjithë.
 
Faleminderit!

Last modified: 9 Prill, 2008

Comments are closed.

×