Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Me përkushtim të lartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve dhe vendit

16 Prill, 2008

Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar kombit
 
Prishtinë, 16 prill 2008

 
Qytetarë të nderuar,
 
Këto ditë janë shumë të veçanta për vendin tonë, e sidomos për mua. Janë ditë përgjegjësie dhe reflektimi. Po bëhen 100 ditë punë të qeverisë së re.

Për këto 100 ditë bashkërisht kemi bërë shumëçka. Gjatë kësaj kohe Kosovën e bëmë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Institucionet dhe Ju qytetarë të nderuar festuat me dinjitet dhe krenari. Shtetin e Kosovës e njohën rreth dyzet shtete më të fuqishme të botës demokratike dhe procesi i njohjes është në vazhdim. Kosova nxori Kushtetutën e shtetit të vet. Kosovës de fakto i është hapur perspektiva për kandidim në NATO dhe Bashkim Evropian.

Krenaria dhe dinjiteti që ju dëshmuat, ishte argumenti më i fuqishëm për botën demokratike për ta njohur shtetin tonë sovran.

Unë dua t’ju falënderoj për gjithçka që ju keni bërë për vendin,për mbështetjen, besimin dhe shpresën që ma keni dhënë gjatë këtyre 100 ditëve të para të qeverisjes.

Kam mësuar shumë gjatë vizitave dhe takimeve me Ju anëkënd Kosovës.

Në mes jush kam parë entuziazmin, unitetin, vullnetin dhe shpresën.

Të gjitha këto të domosdoshme për punën, synimet dhe sukseset tona.

Ato që kam parë mes jush me kanë ndihmuar shumë që të jem lider më i mirë.

Andaj, sot ju njoftoj që nga dita e hënë, 21 Prill, e dera ime do të jetë e hapur për ju. Nga ora 8 e mëngjesit, deri 18, kushdo që dëshiron mund të vijë të takohet presonalisht me mua, – dua secilin prej jush të takoj  – jam në shërbim të çdo qytetari.

Pasi që është e pamundur që të ju takoj të gjithëve për një ditë, unë kam vendosur që takime të tilla t’i përsëris kohë pas kohe në Prishtinë, dhe në qendrat e tjera të Kosovës.
 
Qytetarë të nderuar,
 
Kur u kandidova për Kryeministër, unë kam dhënë premtime për të cilat u zotova që do t’i përmbush gjatë qeverisjes.

Ato nuk kanë qenë vetëm premtime elektorale, por përgjegjësi shtetërore.
 
Kemi premtuar: qeverisje të mirë, efikase dhe transparente, zhvillimin e arsimit – kompjuterizimin e shkollave, zhvillimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e gjendjes energjetike, luftë kundër korrupsionit, perspektivë perëndimore për Kosovën.

Unë, dhe qeveria që udhëheq, kemi filluar t’i realizojmë këto premtime që nga dita e parë.

Ne kemi filluar që t’i nxjerrim nxënësit nga kontejnerët, të bëjmë  zgjerimin dhe modernizimin e hapësirave edukative, të ndërtojmë shkolla të reja dhe t’i kompjuterizojmë ato.

Ne kemi premtuar të ndërtojmë rrugë lokale dhe autorrugë nacionale. Tashmë, kemi filluar ndërtimin e rrugëve të reja.

Është hapur oferta për fillimin e punimeve të autorrugës Vërmicë-Prishtinë, si dhe ajo për studimin e autorrugës Prishtinë – Hani i Elezit.

Ne kemi premtuar që do ta zgjidhim problemin e furnizimit me energji. 

Në këtë drejtim, vështirësitë janë të mëdha – por edhe vendosmëria jonë është e madhe.

Unë tashmë e kam bërë publike strategjinë konkrete, e cila është përgatitur mga ekspertët vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

Kjo strategji, ndër të tjera parashikon: Konsolidimin e resurseve aktuale dhe rritjen e efikasitetit të menaxhmentit, investime përmes koncesioneve dhe parneritetit publik privatizues, vazhdim të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, duke iu përmbajtur në mënyrë të plotë kritereve për mbrojtjen e ambientit jetësor, ngritjen e kapaciteteve të reja alternative për prodhimin e energjisë natyrore: hidrocentraleve dhe centraleve të erës.

Zbatimi i kësaj strategjia nënkupton: Energji të mjaftueshme elektrike për qytetarët tanë, bizneset dhe investimet e reja,
 
Qytetarë të nderuar,
 
Ne kemi premtuar se me qeverisjen tonë të mirë do ta përshpejtojmë rrugën drejt integrimeve Evroatlantike.

Ne tashmë e kemi filluar këtë.

Bota demokratike krenohet me suksesin e Kosovës.

Ne kemi premtuar që do ta luftojmë korrupsionin, ta bëjmë qeverinë transparente dhe të hapur për qytetarët të cilëve u shërben.

Që në fillim të qeverisjes sonë, kemi ndërmarrë masa që menaxhimi dhe shpenzimet të jenë plotësisht në përputhje me ligjin dhe në funksion të interesave publike.

Prandaj, rezultat i kësaj janë miliona euro të kursyera vetëm brenda tre muajve të parë.

Kemi mbështetur punën profesionale të shërbyesve civilë.

Pensionistët veç kanë prekur rezultatin e  premtimeve tona.

Shëndeti i qytetarëve tanë vazhdon të jetë shqetësim për qeverinë. Unë jam duke u angazhuar edhe personalisht që gjendja në sektorin e shëndetësisë të përmirësohet.

Për studentët, qeveria ka përgjysmuar taksat për regjistrim, ka ulur çmimet për ushqim dhe strehim për vitin e ri akademik.
 
Të nderuar qytetarë,

Mbetet shumë për të bërë dhe rruga jonë përpara nuk do të jetë shumë e lehtë.

Sfida të shumta na presin në të ardhmën, mirëpo nuk ka sfidë të cilën nuk do ta tejkalojmë me sukses, nëse do të vazhdojmë të jemi të bashkuar, –  ashtu siç jemi sot.

Unë jam krenar që qytetarët e Kosovës janë të bashkuar dhe jam shumë i nderuar, që si Kryeministër i Kosovës, iu shërbëj me dinjitet të gjithë juve.

Jam i vetëdijshëm se në jetën tonë të përditshme ende ballafaqohemi me shumë probleme.

Por, nuk ka asgjë që do të mund të më ndaloj mua dhe Ju qytetarë të nderuar, që më përkushtim të punojmë që t’iu sigurojmë fëmijëve tanë jetë dhe perspektive të re.

Unë me përkushtim të lartë moral dhe shtetëror do të vazhdoj të punoj sa më shumë dhe sa më mirë që të mundem në shërbimin tuaj dhe të vendit tonë,  –  në përmbushjen e qëllimit tonë – për të ndërtuar një Kosovë më të mirë, më të zhvilluara, me të fuqishme – Republikën tonë të re.

Edhe një herë ju falënderoj sinqerisht për besimin dhe mbështetjen e dhënë dhe ju siguroj se të bashkuar, do t’ia dalim mbarë.

Faleminderit. 

Last modified: 16 Prill, 2008

Comments are closed.

×