Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Investimi në drejtësi, – investim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e kohezionit shoqëror

27 Maj, 2008

Prishtinë, 27 maj 2007
 
Kryeministri Thaçi: Investimi në drejtësi, – investim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e kohezionit shoqëror
 
Zonja dhe zotërinj
 
Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë të flas në këtë tryezë të çmuar për sfidat e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
 
Si çdo sferë tjetër e jetës në shoqërinë tonë, edhe drejtësia ndodhet në një proces tranzicioni. Është një proces me shumë sfida, por edhe premtues.
 
Në këto vite të pas konfliktit janë bërë disa hapa të rëndësishëm, por ende ka shumë rrugë deri tek qëllimi final, për të ndërtuar dhe funksionalizuar një sistem të drejtësisë në përputhje të plotë me vlerat demokratike.
 
Janë dy standarde që e mundësojnë një sistem të tillë: sundimi i plotë i ligjshmërisë, dhe barazia e të gjithë qytetarëve para zbatimit të ligjshmërisë.
 
Duke orientuar kapacitetet tona institucionale dhe qytetare në përmbushjen e këtyre standardeve, ne do të mund ti realizojmë dy objektiva shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë.
 
Njëri objektiv ka të bëjë me të kaluarën, me trashëgiminë e saj juridike. Objektivi tjetër ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen tonë si shtet dhe shoqëri.
 
Duke vendosur sundimin e plotë të ligjshmërisë, dhe bashkë me të edhe barazinë e të gjithë qytetarëve tanë para ligjshmërisë, pavarësisht dallimeve sociale a etnike, ne i japim fund praktikave të gjata historike të drejtësisë selektive dhe ndikimit të përkatësive grupore në vendimet e drejtësisë.
 
Praktika të tilla juridike janë tejet të rrezikshme për një shoqëri demokratike. Janë të rrezikshme sepse drejtësia selektive në vend se të zgjidhë konfliktet, i ushqen edhe më shumë ato.
 
Drejtësia selektive shkatërron besimin qytetarë tek institucionet. Dihet se institucionet demokratike nuk funksionojnë dot pa këtë besim.
 
Objektivi tjetër ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e shtetit tonë.
 
Duke vendosur sundimin e plotë të ligjshmërisë, duke vendosur barazinë e të gjithë qytetarëve tanë para ligjshmërisë, pavarësisht dallimeve sociale a etnike, ne krijojmë rrethanat që:   çdo qytetarë i vendit, të gjitha grupet sociale dhe komunitetet, të ndjejnë se shteti ligjor është i të gjithëve dhe për të gjithë.
 
Vetëm në këtë mënyrë ne do tu garantojmë qytetarëve tanë stabilitetin e një shoqërie demokratike sepse në një shoqëri demokratike stabiliteti nuk varet nga demonstrimi i forcës, por nga efikasiteti i drejtësisë.
 
Në anën tjetër efikasiteti i drejtësisë është një nga parakushtet e zhvillimit ekonomik.
 
Investimet kapitale duan garanci ligjore dhe drejtësi procedurale.
Duke ua hapur rrugën investimeve kapitale ne do të ndikojmë fuqishëm në zbutjen e problemeve të mëdha sociale, sikurse janë papunësia dhe varfëria.
 
Duke rritur mirëqenien sociale të qytetarëve tanë ne do të ndikojmë fuqishëm në rritjen e tolerancës dhe mirëkuptimit ndëretnik në shtetin tonë.
 
E dimë nga e kaluara se ideologjitë konfliktuoze ushqehen edhe nga manipulimi me gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve. Prandaj investimi në drejtësi do të thotë edhe investimi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e kohezionit shoqëror.

Të dy këto vlera garantojnë të ardhmen e përbashkët për të gjitha komunitetet në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Last modified: 27 Maj, 2008

Comments are closed.

×