Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi priti në takim shefin e Seksionit të Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Kjartan Bjornsson

28 Shkurt, 2008

Prishtinë, 28 shkurt 2008

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe shefi i Seksionit të Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Kjartan Bjornsson, kanë biseduar sot për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për ndihmën që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën në vitin 2008 në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA).
 
Zëvendëskryeministri Kuçi është shprehur në takim se Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë mirënjohëse për ndihmën dhe është e gatshme të bashkëpunojë shumë ngushtë me Komisionin Evropian, ndërsa të gjitha prioritetet tona do të jenë në përputhje me procesin e integrimit evropian.
 
Z. Kuçi dhe z. Bjornsson kanë konstatuar se investimet më të mëdha në kuadër të fondeve të Instrumentit të Para Anëtarësimit do të bëhen në fushën e sundimit të ligjit, në fushat sociale-ekonomike, në fushën e përmbushjes së standardeve evropiane dhe në zhvillimin e sistemit të edukimit në Kosovë. Po kështu në takim është theksuar se do të ketë angazhim për gjetjen e një balance të listës së prioriteteve, të cilat do të reflektojnë në ndihmën për proceset e integrimit në Bashkimin Evropian dhe që do të reflektojë edhe në proceset tjera sociale dhe ekonomike.
 
Shefi i Seksionit të Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornsson ka theksuar se kemi bërë përpjekje që të balancojmë listën e prioriteteve që reflektojnë synimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Jemi përpjekur që t’i prekim sfidat ekonomike dhe sociale, me të cilat Kosova po ballafaqohet, andaj si rezultat i kësaj kemi nxjerr disa prioritete kryesore, siç janë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, fusha këto ku ne do të dëshironim që të arrijmë zhvillim të mirë si në nivelin lokal ashtu edhe në atë regjional.

Në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit, Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën 124.9 milionë euro, kësaj shume do t’i shtohet edhe pjesëmarrja nga Buxheti i Kosovës me rreth 15 milionë  euro, të cilat dedikohen në investime të përbashkëta gjatë këtij viti, që do të ndikojnë në forcimin dhe ndërtimin e një politike nacionale për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Last modified: 28 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×