Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi takon ministren e Punëve të Jashtme të Zvicrës, znj. Micheline Calmy-Rey

28 Mars, 2008

Prishtinë, 28 mars 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka takuar sot ministren e Punëve të Jashtme të Zvicrës, znj. Micheline Calmy-Rey.

Z. Thaçi më këtë rast ka falënderuar ministren e Jashtme zvicerane për qëndrimin e saj të qartë para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Në të njëjtën kohë ai falënderoi atë edhe për njohjen e Kosovës shtet sovran, të pavarur dhe demokratik nga shteti i Zvicrës.

“Tash është koha e ndërtimit të raporteve bilaterale, raporte këto që do të përfshijnë relacionet e gjithëmbarshme ndërshtetërore midis Kosovës dhe Zvicrës. Para së gjithash këto marrëdhënie shtrihen në rrafshin e bashkëpunimin ekonomik, por edhe në fusha të tjera.

 Kryeministri Thaçi, ministren e Jashtme zvicerane e ka njohur me prioritetet e qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës, për ndërtimin e rendit demokratik, respektimin e pakicave, respektimin e ligjit, për qeverisjen e mirë dhe perspektivën e Kosovës për integrim në strukturat e NATO-s dhe BE-së.

Kryeministri Thaçi delegacionit të lartë nga Zvicra i ka thënë se Kosova ofron një ambient të sigurt dhe të favorshëm për biznes dhe u ka bërë ftesë investitorëve zviceranë për të investuar në Kosovë.
 
Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, theksoi se Kosova pas shpalljes së pavarësisë do të mund të zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht, dhe beson që Kosova do të ketë një të ardhme të shkëlqyeshme.

Znj. Calmy-Rey tha se vendi i saj, Zvicra do të zgjerojë bashkëpunimin para së gjithash në fushën e zhvillimit ekonomik, ngritjen e institucioneve demokratike dhe të sundimit të ligjit, infrastrukturën publike, posaçërisht në sektorin e energjisë dhe të ujit, dhe projekte në mbështetje të të gjitha komuniteteve.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar me kënaqësi ftesën që Znj. Micheline Calmy-Rey i ka bërë atij për një vizitë zyrtare Zvicrës.

Last modified: 28 Mars, 2008

Comments are closed.

×