Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi përuroi rrugën e asfaltuar Banjë- Vrellë të Komunës së Istogut

17 Maj, 2008

Prishtinë, 17 maj 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z. Adem Graboci, sot solemnisht, në Banjë të Komunës së Istogut, ka përuruar rrugën e asfaltuar Banjë- Vrellë.
 
Në një fjalë rasti Kryeministri Hashim Thaçi banorëve të Vrellës dhe Banjës u ka thënë se kjo rrugë është një projekt i rëndësishëm dhe me dobi të madhe për qytetarët e kësaj ane.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. 
”Rruga e përuruar sot është vetëm njëri ndër projektet e shumta që Qeveria e Kosovës po i bënë realitet”, pohoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës më tutje premtoi se Qeveria e Kosovës në komunën e Istogut ka paraparë të investojë mbi 6 milionë euro në objekte të infrastrukturës.
“Do të punojmë për të mirën e të gjithë qytetarëve në çdo cep të Kosovës, në mënyrë që t’ua përmirësojmë infrastrukturën jetësore dhe këtë do ta bëjmë sipas standardeve më të larta evropiane”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.
 
Nga ana e tij, zëvendësministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, z. Adem Graboci, është shprehur se kjo ministri do ta shtrijë aktivitetin e vet në gjithë Kosovën. Së shpejti ka thënë z.Grabovci do të implementohen edhe projekte të tjera me rëndësi për qytetarët, siç është asfaltimi i rrugës Rakosh-Shushicë.
Rruga e asfaltuar Banjë- Vrellë , me gjatësi prej 6 kilometrash, është financuar nga mjetet e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT) dhe ka kushtuar rreth 750 mijë euro.  

Last modified: 17 Maj, 2008

Comments are closed.

×