Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi takoi z.Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian

28 Maj, 2008

Prishtinë, 28 maj 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi , është takuar sot me
z.Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në  Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të Komisionit Evropian.
 
Në takim kryeministri Thaçi ka njoftuar z. Pierre Mirel me angazhimet dhe progresin që ka arritur  Kosova dhe për reformat që po bëhen në ekonomi, politikë, por edhe në legjislacion dhe aktivitetet që po zhvillohen në përputhje me standardet evropiane.
 
“Agjenda kryesore e institucioneve te Republikës së Kosovës, që është vullnet i qytetarëve të Kosovës, është agjenda për integrime në strukturat euroatlantike, në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova është vend i mundësive të barabarta, shoqëri multietnike dhe me perspektivë për një prosperitet të përgjithshëm, të paqes dhe stabilitetit në rajon.
 
Po ashtu z. Thaçi ka njoftuar z.Pierre Mirel lidhur me përgatitjet e Qeverisë së Kosovës për Konferencën e Donatorëve. Kryeministri Thaçi ka pohuar se pret që Kosova do të ketë një mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që ky përkushtim i përbashkët të rezultojë me kushte më të mira të jetës për të gjithë qytetarët në Kosovë. 
 
Ndërkaq, z.Pierre Mirel ka thënë se Asambleja e Këshillit të Evropës në Bruksel ka konfirmuar se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në Evropë dhe se tash është mirë që të dëgjojmë nga kryeministri Thaçi se agjenda e Qeverisë së Kosovës është pikërisht integrimi në BE.
Z. Pierre Mirel konfirmoi se Konferenca e Donatorëve për Kosovën, përfundimisht është caktuar të mbahet më 11 korrik në Bruksel.

Last modified: 28 Maj, 2008

Comments are closed.

×