Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e 22-të e Qeverisë së Kosovës

30 Maj, 2008

Prishtinë,  30 maj 2008
 
Mbledhja e 22-të  e Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Hashim Thaçi është mbajtur sot në ambientet e ndërtesës së Kuvendit Komunal të Pejës.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se koncepti për organizimin e mbledhjeve të Qeverisë nëpër qendra të ndryshme komunale, është një përkushtim yni që Qeveria të jetë sa me afër qytetarit dhe që të tregohen  përkushtimet konkrete të Qeverisë për secilën komunë të Republikës së Kosovës.
 
Në fjalën e hyrjes, kryeministri Thaçi gjithashtu ka theksuar se javën e kaluar ka pasur angazhime dhe zhvillime shumë pozitive. Ai ka veçuar Takimin e 14 të Procesit të Stabilizim Asociimit. Kryeministri edhe njëherë ka përgëzuar ministrat për prezantimin e shkëlqyeshëm të punës së Qeverisë në përmbushjen e standardeve, i cili është mirëpritur dhe është përshëndetur nga përfaqësuesi i BE-së. Po ashtu  gjatë kësaj  jave kemi zhvilluar aktivitet të dendur edhe në çështjen e lobizimit, Ministri Hyseni ka pasur vizita dhe  takime në Vjenë, në të njëjtën kohë delegacioni i prirë, nga zëvendëskryeministri Ramë Manaj po qëndron në Bruksel.  “Është inkurajues qëndrimi i Parlamentit Evropian në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe të simboleve shtetërore të saj”, ka pohuar z. Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar se brenda dy javëve të ardhshme, Qeverisë së Kosovës do ti shtohet edhe Ministria e Mbrojtjes si dhe do të themelohet edhe Shërbimi Inteligjent i Kosovës.
 
Pas këtyre njoftimeve të Kryeministrit Thaçi, Qeveria ka diskutuar për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Komunën e Pejës. Ministrat kanë shpalosur projektet e tyre që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, të arsimit , shëndetësisë dhe të drejtësisë. Investimet në këtë regjion vetëm gjatë këtij viti do të jenë dhjet herë më të mëdha , krahasuar me vitet e kaluara u tha në mbledhje. 
 
Nikoqiri i këtij takimi, kryetari i Pejës, z.Ali Berisha, ka kërkuar nga Qeveria që të përmirësohet sistemi aktual i ndarjes së buxhetit për komunën e Pejës, me arsye se që nga paslufta Pejës po i ndahet nga qendra buxheti vjetor për 115 mijë banorë, ndërkohë që komuna e Pejës ka mbi 150 mijë banor. Kryeministri Thaçi ka premtuar se kjo çështje do të përmirësohet menjëherë pasi të kryhet regjistrimi i popullsisë.
Duke proceduar sipas rendit të ditës sot Qeveria ka miratuar propozimin e  Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për formimin e Grupit Ndërministror për Përcjelljen e Zbatimit të Aneksit V të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Grupi ndërministror do të jetë në përbërje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Shërbimeve Publike.
 
 
Ministria e Shërbimeve Publike ka marrë miratimin e Qeverisë për  Planin Strategjik të Akomodimit Rezidencial për Qeverinë e Kosovës. Faza e parë përfshinë përgatitjen dhe renovimin e këtyre objekteve: Urata- Prishtinë, Toskana – Prishtinë, Mensa e studentëve (afër Farmedit) – Prishtinë, Objekti administrativ-tre katesh i “Hekurudhave të UNMIK-ut” dhe Objekti administrativ – përdhes i “Hekurudhave të UNMIK-ut”.   Ministri Arsim Bajrami ka theksuar se deri në shtator do të vendosen në objekte publike pesë ministri dhe deri në nëntor edhe tri ministri të tjera.    
 
Në kuadër të përpjekjeve për të shtuar pjesëmarrjen dhe koordinimin e asistencës së Bashkimit Evropian, Qeveria ka marrë vendim që të krijohet pozita e Zyrtarit të Lartë për Programim në të gjitha ministritë.
 
Qeveria ka marrë vendim për transferimin e  mjeteve financiare për projektin e fshatit Hade. Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga kabineti i tij që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet për këtë projekt në mënyrë që çështjes së  Hadës ti gjendet zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme.
 
Qeveria sot ka miratuar edhe dy projektligje: Projektligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë (MKRS) dhe Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 2003/7 për Lëndën Arkivore dhe Arkivat (ZKM)
 
Qeveria sot ka diskutuar edhe për çështjen e qartësimit të numrave të tabelave të institucioneve që fillojnë me 000 dhe të tabelave diplomatike për personelin diplomatik që shërben në Kosovë.
Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga ministritë përkatëse që të propozojnë zgjidhje për tabelat për veturat zyrtare në Kosovë.
 
Qeveria sot ka marrë vendim që nga buxheti i saj të financojë pushime rehabilitimi për 800 anëtarë të Shoqatave të Dala nga Lufta dhe 200 Familje të Dëshmorëve. Paraprakisht Shoqatat e Dala nga Lufta kishin kërkuar pushime për 600 persona dhe 100 Familje të Dëshmorëve.

Last modified: 30 Maj, 2008

Comments are closed.

×