Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi fillon vizitën zyrtare në Shqipëri, pritet nga kryeministri Berisha, presidenti Topi, kryeparlamentarja Topalli, kryetari i LSI-së Meta dhe mban një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë

19 Qershor, 2008

19 qershor 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së  Kosovës, Hashim Thaçi, u prit sot me nderime të larta shtetërore në fillim të vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht kryeministri Thaçi ka zhvilluar një takim të veçantë me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Në takim të dy kryeministrat janë shprehur për një angazhim të përbashkët, për një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë në të gjitha fushat që janë me interes të përbashkët.

Po sot, në një ceremoni solemne, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi i akordoi kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Urdhërin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kjo dekoratë z. Thaçi iu dha për rolin e tij shumë të rëndësishëm në luftën për fitoren e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës
 
 
Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeministri Sali Berisha kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Sali Berisha në emër të Qeverisë së Kosovës, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të gjithë forcave politike shqiptare në procesin e gjatë, historik, të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës, për mbështetjen e gjithanshme që ka marr nga shteti dhe politika e shtetit shqiptarë dhënë Kosovës, në periudha të ndryshme dhe nga më të vështirat për të.

“Pavarësia e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me kontributin e Shqipërisë, andaj ju falënderoi në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës” është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
 
“Kosova ka kushtetutën e saj të hartuar sipas të gjitha standardeve moderne” ka theksuar kryeministri i Republikës së  Kosovës, Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës  është duke u angazhuar në mënyrë intensive për vendosjen e raporteve të shtetit të Kosovës me shtete e tjera. Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë mbështetjen dhe lehtësirat që qeveria shqiptare ka dhënë për biznesin kosovar. Edhe biznesmenët shqiptarë janë të mirëpritur të investojnë në Kosovë, duke garantuar çdo mbështetje për ta, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
 
Duke i dëshiruar mirëseardhjen kryeministri Hashim Thaçi, kryeministri Sali Berisha është shprehur:
“Shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur kryeministrin, Qeverinë e Kosovës, për sukseset e ndjeshme që kanë shënuar në muajt e parë të pavarësisë së vendit të tyre, të konsolidimit të pavarësisë së tyre. Hashim Thaçi ka ardhur sot si komandant i qëndresës shqiptare, kryesues i delegacionit të Kosovës në Rambuje, përfaqësuesi i opozitës së Kosovës pluraliste. Sot ai vjen si kryeministër i Kosovës së pavarur. I shpreh gjithë mirënjohjen për kontributin e dhënë në procesin e pavarësisë së Kosovës”.
 
Kryeministri Thaçi  dhe Kryeministri Berisha janë angazhuar edhe për bashkëpunimin e të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është vlerësuar si imperativ madhor për qytetarët e të dy vendeve dhe si një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova dhe Shqipëria duhet të angazhohen në arritjen e standardeve të duhura për integrimin në NATO dhe në BE, kanë vlerësuar të dy kryeministrat dhe kanë diskutuar gjerësisht për projekte e përbashkëta të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me synimin që dy vendet tona të jenë faktorë paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi rajonal e evropian.
 
Kryeministrat Thaçi dhe kryeministri Berisha kanë vlerësuar sektorin e energjisë me përparësi të madhe për të bashkëpunuar ngushtësisht në këtë sektor. Bashkëpunimi në këtë fushë do t’i jep përgjigjen më të mirë për problemet me të cilat po ballafaqohen vendet tona në sektorin e energjisë. Duke qenë se të dy vendet kanë rezerva kolosale për tu bërë eksportues energjie. Në këtë kuadër është përmendur mundësia e ndërtimit të një termocentrali të përbashkët. Në takimin e tyre, të dy kryeministrat janë shprehur të angazhuar që të shkrihen barrierat e lidhjeve në mesë të dy vendeve në komunikimin rrugor dhe ajror, në interes të zhvillimit më të shpejtë të të dy vendeve.
 
Kryeministri Hashim Thaçi më pas është takuar me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe ka mbajtur një fjalim para deputetëve të parlamentit shqiptar.
 
Kosova dhe Shqipëria, kanë një synim të përbashkët, integrimin ne BE dhe NATO, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se historia e dhimbshme e shqiptareve te Kosoves u kurorëzua me pavarësinë e këtij vendi, dhe se për këtë ndihmë të madhe ka dhënë populli dhe shteti shqiptar. “U linda, u rrita me dashurinë për Shqipërinë ashtu sikundër dhe djali im qe çdo vit vjen ne Shqipëri. Ne ’98 ne ishim ne lufte dhe ju na hapet vatrat tuaja dhe ne nuk do ta harrojmë këtë kurrë”, tha z. Thaçi duke falënderuar ne emër te popullit të Kosovës.
 
Kryeministri Hashim Thaçi pastaj ka folur për  sfidat, angazhimet në të cilat po kalon aktualisht Kosova pas shpalljes se pavarësisë. “Kemi siguruar njohjen nga 43 shtete dhe presim te njihemi ende botërisht. Hapem ambasadat e para dhe po ndërtojmë shtetin e ri demokratik dhe shtetin ligjor. Do te ndërtojmë një shtet ku te drejtat dhe barazitë e minoriteteve do te jene parësore”, tha mes te tjerash Thaci para Kuvendit.
           
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është mirëpritur edhe në në Presidencën e Shqipërisë nga presidenti Bamir Topi.
Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetari i Shtetit Shqiptar Topi u shpreh veçanërisht i lumtur për këtë vizitë të parë të Kryeministrit Thaçi në Shqipëri si Kryeministër i një shteti të lirë, sovran dhe të pavarur.
 
Presidenti shqiptar Bamir Topi vlerësoi se Kosova sot po jeton një moment historik kur një sërë vendesh të rëndësishme kanë njohur pavarësinë e saj, një proces ky që ka marrë një zhvillim të natyrshëm ku në vijimësi po thellohet prirja nga shumë shtete të tjera për njohjen e saj.
“Kjo sot po bëhet një projeksion demokratik të një lidershipi të moderuar”, – është shprehur Presidenti Topi, duke theksuar se garancinë për këtë e kanë dhënë z. Thaçi, populli dhe institucionet e Kosovës.
 
Bashkëbiseduesit Thaçi dhe Topi në këtë takim janë ndalur në mënyrë të veçantë në hapat dhe projektet konkrete në shërbim të zgjerimit, thellimit dhe konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera demokratike.
Presidenti Topi dhe Kryeministri Thaçi shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për të dhënë gjithë kontributin e tyre për një bashkëpunim sa më të frytshëm dhe intensiv mes dy popujve dhe vendeve tona në fusha me interes të ndërsjellë, në ekonomi, energjetikë, turizëm, arsim, kulturë e gjetkë. Në këtë kontekst u theksua se përfundimi sa më i shpejtë i rrugës Durrës – Kukës – Morinë do të jetë një kontribut madhor në këtë drejtim, sidomos përmes mundësimit të garantimit të lëvizjes së lirë të mallrave, si dhe të njerëzve.
 
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, falenderoi Presidentin Topi për pritjen. Z.Thaçi vuri në dukje se vizita e Presidentit Topi në Kosovë pak para shpalljes së pavarësisë ka qenë ndihmesë për Kosovën dhe institucionet e saj. Kryeministri Kosovar theksoi se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet dhe konkretizohet në të gjitha nivelet, në të gjitha institucionet demokratike. “Ne duhet të kemi partneritet të shkëlqyer’, – u shpreh z. Thaçi. Sa i përket zhvillimeve në Kosovë vlerësoi se populli i Kosovës dhe institucionet e saj janë të vetëdijshme për sfidat që duhet të përballin, duke shtuar se “me koalicionin e madh që kemi jemi të kënaqur dhe mendoj kemi krijuar një traditë të mirë”.
 
Në vazhdim të vizitës zyrtare në Shqipëri të kryeministrit Thaçi, në një ceremoni solemne presidenti i Shqipërisë, i akordoi kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
 
Kjo dekoratë z. Thaçi iu dha për rolin e tij shumë të rëndësishëm në luftën për fitoren e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës që shërben si faktor paqeje dhe stabilitet në Ballkan e më gjerë.
 
Duke falënderuar për çmimin e lartë të presidentit Topi, Kryeministri Thaçi tha se është ky një nder që më bëhet mua si kryeministër i Kosovës, që i bëhet Kosovës dhe popullit të Kosovës.
 
Për Kosovën ky nder është një përgjegjësi e re, për mua që ne si vend që kaluam nga një luftë e tmerrshme në një fitore e madhe, në fitoren e tranzicionit demoktratik në të njëjtën kohë, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe tani në një përgjegjësi të re për integrim në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Edhe një herë krenohem me Shqipërinë, krenohem me shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës
– theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.
 
Pasdite, kryeministri Thaçi është takuar me liderin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Ilir Meta, me të cilin ka biseduar për zhvilimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe për përkushtimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit të politikës dhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të integrimit sa më të shpejtë të të dy vendeve në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. 
 
Në vizitën zyrtare në Shqipëri, kryeministri Thaçi është i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Kuçi, ministrat Limaj, Hoxhaj, Gashi, Ferati dhe nga ministresha Shiroka-Pula.
 
Ditën e dytë të vizitën në Shqipëri, kryeministri Hashim Thaçi do ta fillojë me takimin që do të zhvillojë me kryetarin e Baskisë së Tiranës dhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.
 
Po nesër, kryeministri Hashim Thaçi, do të vizitojë Bashkinë  e Durrësit, me ç’rast në shoqërim të kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit do të zbulojnë Pllakën e Pavarësisë në Durrës. Pastaj, kryeministri Thaçi do t’i bëjë një vizitën familjes së dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara në qytetin e Kavajës.
 
Vizita e kryeministrit Hashim Thaçi në Shqipëri do të vazhdojë në qytetin e Vlorës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit Qytetar Nderi i Vlorës.
Po ashtu gjatë qëndrimit në Vlorë, kryeministri Thaçi i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Viktor Gjika, do të vizitojë edhe Monumentin e Pavarësisë, ku do nderojë të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e pavarësisë së Shqipërisë dhe do të vendosë kurorë lulesh.

Last modified: 19 Qershor, 2008

Comments are closed.

×