Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi, është kthyer nga vizita zyrtare në SHBA: Çdo qytetar i Kosovës mund të ndihet krenar me marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë – SHBA

23 Korrik, 2008

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi është kthyer sot nga vizita në Shtetet Bashkuara të Amerikës, të cilën e ka vlerësuar vizitë historike në të cilën Delegacioni i Kosovës ka  marrë një mbështetje jashtëzakonisht të madhe, gjatë takimeve që ka zhvilluar me presidentin Bush, sekretaren e Shtetit Rajs, sekretarin e Mbrojtjes Gejts dhe zyrtarët tjerë të lartë shtetërorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Prishtinë, 23 korrik 2008
 
Kryeministri Thaçi ka deklaruar se në takimet e zhvilluara në Uashington, Delegacioni kosovar ka shprehur, në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin amerikan dhe presidentin Bush për mbështetjen e Kosovës që nga periudha e viteve të nëntëdhjeta, e që vazhdoi me mbështetjen në periudhën ’98, ’99 gjatë luftës dhe tash në tranzicionin demokratik dhe me shpalljen e Kosovës së pavarur.
 
“Njoftuam presidentin Bush me suksesin e arritur bashkërisht në Kosovë, për rendin demokratik që po e ndërtojmë, për funksionimin demokratik dhe efektiv të institucioneve, për instalimin e qeverisjes së mirë, për zotimin tonë në ndërtimin e infrastrukturës ligjore sipas standardeve dhe kritereve perëndimore, për zotimin tonë për sundimin e ligjit, për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, për zotimin tonë që Kosova të jetë pjesë aktive në luftën kundër terrorizmit kudo që paraqitet”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka vlerësuar se ky bashkëpunim është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
 
“Zotimi ynë ishte që çdo mbështetje për Kosovën do të jetë një përgjegjësi edhe më e madhe për ne”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.
 
“Vizita dhe takimi me presidentin Bush, si dhe takimet tjera me zyrtarët e lartë të shtetit amerikanë, janë edhe një shtytje e re në relacionet e reja ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tash janë hapur mundësitë e reja shtetërore, jo vetëm të mbështetjes politike, por edhe në relacionet të bashkëpunimit në të gjitha sferat e interesit ndërshtetëror, në atë diplomatik, në atë ekonomik dhe atë të sigurisë. Çdo qytetar i Kosovës mund të ndihet mirë dhe të ndihet krenar me marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë-Shtete e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi para gazetarëve, në konferencën për shtyp pas kthimit nga Uashingtoni.

Last modified: 23 Korrik, 2008

Comments are closed.

×