Zyra e Kryeministrit

Mbahet mbledhja e 29-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

31 Korrik, 2008

Prishtinë, 31 korrik 2008
 
 
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të 29-të, të rregullt, në të cilën ka aprovuar Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian 2008, Strategjinë e Planit të Veprimit për Luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore 2008-2011 dhe një varg vendimesh nga fusha e veprimit të Qeverisë së Kosovës.
 
Në fjalën e hyrjes, Kryeministri ka vlerësuar rëndësinë e miratimit të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit për vitin 2008. Duke shprehur falënderimin për angazhimin e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Thaçi ka kërkuar që shpenzimet buxhetore të kryhen në përputhje me ligjin, në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. “Qeveria e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e vet në luftë kundër korrupsionit dhe dukurive devijante”, ka theksuar Kryeministri.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar nga të gjithë ministrat që me kujdes të lexojnë dhe analizojnë raportet e auditimit për ministritë e tyre, dhe në përputhje me ligjin dhe me përgjegjësitë, si dhe të ndërmarrin masat për të gjithë ata që gjenden përgjegjës për shkeljet e evidentuara në këto raporte.
 
Qeveria në mbledhjen e sotme ka diskutuar dhe ka aprovuar Planin e Veprimit të Partneritetit Evropian 2008. Plani i Veprimit për Partneritet Evropian 2008 reflekton masat dhe aktivitetet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës do t`i ndërmarrë gjatë periudhës afatshkurtër dhe afatmesëm, për t`i adresuar prioritetet e caktuara nga Komisioni Evropian në kuadër të Partneritetit Evropian për Kosovën, duke marr në konsideratë edhe Raportin e Progresit të vitit 2007 për Kosovën të përgatitur nga Komisioni Evropian.
 
Ministria e Shërbimeve Publike ka paraqitur propozimin, që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave të përgatisin një studim për pagat shtesë dhe pagat e ndryshme për pozita të njëjta në sistemin e pagave të Republikës së Kosovës. Situata aktuale në sistemin e pagave shtesë është vlerësuar me shumë anomali. Qeveria ka aprovuar këtë nismë të Ministrisë së Shërbimeve Publike që bashkërisht me Ministrin e Ekonomisë dhe Financave të analizojnë dhe përgatisin një vendim për unifikimin e sistemit të pagave shtesë.
 
Qeveria ka miratuar një vendim që autorizon Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për kompensimin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për punën e bërë gjatë zgjedhjeve të nëntorit 2007. Mjetet janë siguruar nga ndarjet buxhetore të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka prezantuar Strategjinë e Planit të Veprimit për Luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore 2008-2011. Strategjia është punuar nga grupe te ekspertëve dhe identifikon objektivat dhe veprimet që do të koordinohen nga kjo ministri, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. “Trafikimi me qeniet njerëzore paraqet një krim të rëndë dhe kërkon edhe luftimin e tij të pakompromis. Qeveria do të angazhohet në këtë drejtim dhe do të përkrah të gjitha masat e koordinuara nga Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
 
Duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për procedurat e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, Qeveria ka vendosur që deri në hartimin dhe aprovimin e studimit “Përgatitja e procesit për tenderimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla – procedurat”, asnjë zyrtarë në nivel qendror apo komunal nuk ka të drejtë të bëjë çfarëdo veprimi administrativ që do të paragjykonte dhënien e lejes për fillimin e veprimeve me qëllim të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla me kapital privat. Ky studim pritet të përfundohet deri në fund të shtatorit të këtij viti.
 
Ministria e Energjisë dhe Minierave ka propozuar, ndërsa Qeveria e Kosovës ka aprovuar, një Udhëzim Administrativ për zbatimin e procedurave të shkyçjes dhe ri-kyçjes për konsumatorët e energjisë elektrike. Ky Udhëzim Administrativ do të përmirësojë infrastrukturën ligjore në këtë fushë dhe do të rris azhuritetin e përgjegjësve për inkasimin e borxheve të konsumatorëve të energjisë elektrike. Udhëzimi Administrativ do të jetë i vlefshëm për gjashtë muaj.
 
Kabineti qeveritar, në mbledhjen e sotme është informuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë për procesin e shitjes me ankand të automjeteve të tepërta të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njohur Qeverinë me iniciativën e Bordit të Universitetit të Prishtinës që ndërtesën e Institutit të Historisë, që gjendet në hapësirën e kompleksit të Universitetit të Prishtinës, të kalojë në pronësi të Bibliotekës Kombëtare Universitare, ndërsa për Institutin e Historisë të gjendet një lokacion tjetër. 

Last modified: 31 Korrik, 2008

Comments are closed.

×