Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Kosovës do të jetë e pa kompromis në luftimin e krimit financiar, korrupsionit dhe ekonomisë joformale

27 Gusht, 2008

Në organizim të Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, sot në Prishtinë po mbahet konferenca me temën “Parandalimi i krimit financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parasë në Kosovë”.
Qeveria që udhëheq unë, është e përkushtuar deri në fund të mos lejojë, që askush ta vërë në pikëpyetje të ardhmen tonë demokratike, të ardhmen tonë të sigurt, të ardhmen e shtetit, fëmijëve, institucioneve tona demokratike, të ardhmen e qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit.
– theksoi kryeministri Thaçi në fjalën e tij, mbajtur në konferencë.

 
 
Prishtinë, 27 gusht 2008.  
 
Fjalën kryesore në konferencën “Parandalimi i krimit financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parasë në Kosovë”,e mbajti  kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi.
 
Në punimet e kësaj konference merrnin pjesë edhe ministrat  z.Ahmet Shala, znj.Nekibe Kelmendi dhe z. Zenun Pajaziti si dhe shefi i Zyrës së Ndërlidhjes së Komisionit Evropian në Kosovë, z. Renzo Davidi.
 
 
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën “Parandalimi i krimit financiar, korrupsionit dhe pastrimit të parasë në Kosovë”.
 
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Siç është e njohur Qeveria e Kosovës, ka përpiluar deklaratën lidhur me prioritetet e politikave të saj.
Janë katër prioritete qendrore që janë identifikuar dhe aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës:
 
– Rritja ekonomike,
– Zbatimi i marrëveshjes për statusin,
– Qeverisja e mirë
– Stabiliteti social.
 
Në kuadër të këtyre prioriteteve parandalimi i ekonomisë jo formale, përfshirë edhe korrupsionin dhe format tjera të ekonomisë së zezë janë pjesë të prioriteteve themelore të politikave të qeverisë, që udhëheq unë.
 
Ekonomia jo formale në Kosovë paraqet një pjesë të konsiderueshme të bruto prodhimit vendor. Ajo ka ndikim negativ në zhvillimin e vendit, si rrjedhojë vështirëson edhe  rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Duhet t’u rikujtoj moton e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e detyrave të saj “Zero tolerancë ndaj korrupsionit”.
 
Qeveria e Kosovës për fat të keq nuk është e ndihmuar nga segmente të caktuara, apo është e penguar për të luftuar korrupsionin. Ende segmente të caktuara të drejtësisë bëjnë gjumë të rehatshëm mbi dosjet e krimit tash e tetë vite.
 
Por, dëshirojmë të japim sinjal të qartë për qytetarin e Kosovës edhe për mekanizmat ndërkombëtarë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtimin më të madh për të luftuar korrupsionin, krimin financiar dhe ekonominë joformale në përgjithësi.
 
Me 15 prill 2008 kemi mbajtur një konferencë në të cilën unë si kryeministër i Kosovës kam kërkuar fillimin e përgatitjes së programit qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë.
 
Për këtë qëllim Qeveria ka krijuar grupin punues qeveritar për parandalimin e ekonomisë jo formale. Ky grup punues kryesohet nga Zyra e Kryeministrit dhe ndihmohet nga sekretariati i përfaqësuesve të autoriteteve përkatëse. Ky grup punues ka përgatitur programin qeveritar për parandalimin e ekonomisë jo formale në Kosovë, i cili është aprovuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës.
 
Përfitoj nga rasti të falënderoj në mënyrë të veçantë projektin e financiar nga Bashkimi Evropian dhe ekipin e këtij projekti për ndihmën për përgatitjen e këtij programi
 
Përgëzojë ekipin e Grupit punues për punën e shkëlqyeshme dhe falënderoj punën e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian për mbështetje.
 
Programi i përpiluar së bashku me Planin e Veprimit është një mjet gjithëpërfshirës me qëllim të luftimit të krimeve financiare dhe të korrupsionit dhe të ekonomisë jo formale.
 
Prandaj, Qeveria e Kosovës e mirëpret ndihmën e Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian edhe në të ardhmen për të krijuar projekte mbështetëse për implementimin programit në fusha sensitive
 
 
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
ministra të nderuar,
 
Tani jemi në fazën e fillimit të zbatimit të këtij programi. Kam kërkuar që ky program të zbatohet në tërësi dhe të kemi një plan të detajuar të veprimit. Ministritë duhet të jenë autoritet përkatëse në zbatimin e programit dhe të japin llogari për të gjitha hapat e ndërmarr .
 
Dëshirojë të shpreh respekt për punën e ministres së Drejtësisë, zonjës Kelmendi, gjithashtu ministrit të Ekonomisë dhe Financave z. Shala dhe gjithë njerëzve të cilët me qëllimin më të mirë dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore kanë kontribuar.
 
Monitorimi dhe rishikimi i programit qeveritar për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë mbetet  detyrë e përhershme e Qeverisë.
 
Grupi i përhershëm punues qeveritar do të raportojë mbi rezultatet e zbatimit të objektivave të identifikuara të programit qeveritar. Qeveria dhe Grupi punues qeveritar duhet të përgatisin vlerësime të rregullta sa i përket shtrirjes dhe ndikimit të ekonomisë joformale dhe rezultateve të masave të programit qeveritar .
 
Bazuar në të gjeturat menjëherë në fillim të vitit 2009 duhet të fillojë përgatitja e programit të ri qeveritar për parandalimin e ekonomisë jo formale për vitet 2010- 20011.
 
Në fund zonja dhe zotërinj, më  lejoni të theksoj se Qeveria e Kosovës do të jetë e pa kompromis në luftimin e këtij aktiviteti të paligjshëm dhe shkatërrues për ekonominë tonë.
 
Qeveria e Kosovës do të jetë e pa kompromis edhe ndaj atyre që heshtin dhe fshehin krimin, edhe ndaj atyre që kanë obligim të luftojnë krimin dhe e heshtin apo e tolerojnë me apo pa vetëdije.
 
Të gjithë, pa dallim, e kanë për obligim të respektojnë ligjin.
Askush nuk është mbi ligjin dhe, lufta ndaj ekonomisë joformale, lufta ndaj korrupsionit, që të ngadhënjejë motoja, “Zero tolerancë ndaj korrupsionit”, mund të fitohet vetëm atëherë kur fillojnë reformat rrënjësore në sistemin e drejtësisë.
 
Nuk mund Qeveria të luftojë korrupsionin, kur Drejtësia e toleron dhe e heshtë atë.
 
Prandaj, unë i ftoj qytetarët e Kosovës që ta mbështesin Qeverinë në të gjitha veprimet e saj, në luftë kundër krimit të organizuar dhe formave të ndryshme të ekonomisë joformale dhe kundër korrupsionit.
 
Në mënyrë të veçantë, kërkohet nga organet e drejtësisë, respektivisht të ndjekjes, që të mobilizohen, të zgjohen nga kjo amulli dhe të kryejnë punën e tyre në mënyrë efikase në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe mbi të gjitha në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës.
 
Çdo vepër kriminale, e cila kalon pa u ndëshkuar, është më tepër sesa krim dhe ky mosndëshkim i krimit e ka adresën, kjo nënkupton shkatërrim të shtetit tonë, që e kemi krijuar me shumë mund dhe sakrifica. Kjo nënkupton rritje të varfërisë dhe rrënim të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe institucioneve tona demokratike.
 
Prandaj, Qeveria që udhëheq unë, është e përkushtuar deri në fund që të mos lejojë, që askush ta vërë në pikëpyetje të ardhmen tonë demokratike, të ardhmen tonë të sigurt, të ardhmen e shtetit, fëmijëve, institucioneve tona demokratike, të ardhmen e qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit.
 
Dua të besoj se ky zotim ekziston edhe në mesin tuaj, është i dëshmuar. Gjithashtu, presim partneritet të ngushtë me qytetarët e Kosovës. Kjo është rruga e vetme që të ecim përpara pa pasur frikë për të ardhmen tonë!
 
Ju falëmnderit!

Last modified: 27 Gusht, 2008

Comments are closed.

×