Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 31-të të saj, ndan 25 milion euro për blerjen e ndërtesave për përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë vendit

27 Gusht, 2008

Prishtinë, 27 gusht 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes, ka vlerësuar zhvillimet e javës së kaluar, duke u ndalur në vazhdimin e njohjeve të shtetit të pavarur të Kosovës dhe në koordinimin e vazhdueshëm të veprimeve diplomatike me SHBA-të dhe BE-në.
 
Kryeministri Thaçi ka theksuar gjithashtu edhe angazhimet e qeverisë në kontaktet me vendet e Konferencës Islamike, në funksion të njohjes së me realitetin e krijuar në Kosovë dhe për njohje të këtij realiteti nga këto vende.
 
Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë përgatitur vendimin për kriteret e lëshimit të pasaportave diplomatike dhe zyrtare. Vendimi autorizon Ministrinë e Punëve të Jashtme si institucion i vetëm që ka të drejtë të lëshojë pasaporta diplomatike dhe zyrtare. Qeveria ka aprovuar këtë vendim dhe ka vlerësuar se ai është në pajtim edhe me Ligjin për pajisje me dokumente të udhëtimit.
 
Qeveria gjithashtu ka aprovuar vendimin, sipas kërkesës për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 25 milionë Euro që do të përdoren për blerjen e ndërtesave për përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë vendit. Ky vendim është vlerësuar se do të ndikojë pozitivisht në krijimin  kushteve teknike dhe fizike për të ndërtuar një shërbim funksional diplomatik.
          
Në mbledhje është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për shtatë anëtarë të rinj të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave.
 
Dyqind mijë Euro, nga Rezervat e Ministrit të MEF-it do të transferohen në Programin për Minierat e Trepçës, është vendosur në mbledhjen e sotme te Qeverisë. Mjetet e ndara nga rezervat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave do të barten në buxhetin e Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça” në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. 
 
Qeveria ka themeluar Komisionin Republikan për Festa në përbërje nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Shërbimeve Publike, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e Presidentit. Ky komision do të përgatis rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare si dhe ditët memoriale, dhe më së largu deri në fund e muajit tetor të vitit vijues, të nxjerr kalendarin e festave zyrtare dhe ditëve memoriale, për vitin në vijim, duke u bazuar në Ligjin Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.
 
Një komision që do të përbëhet nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Shërbimeve Publike dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të shqyrtojë ofertën e Postës-Telekomunikacionit të Kosovës për shërbimet e telefonisë mobile për Qeverinë e Kosovës. Ky komision, në afat kohor prej dy javësh, do t`i ofrojë Qeverisë propozimin konkret lidhur me këtë ofertë.
 
Qeveria ka diskutuar, dhe ka aprovuar, kërkesën për financimin e ndërtimit të rrethojës së Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan, Komuna e Podujevës.
 
Në mbledhje janë propozuar edhe dy kandidatë për anëtarë të Bordit të Rregullatorit të Energjisë. Kandidatët e propozuar nga Qeveria do të emërohen nga Kuvendi i Kosovës.
 
Sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Qeveria ka përfshirë në Strategjinë Legjislative për vitin 2008, edhe ndryshimet dhe amandamentimin e  Ligjit për të Ardhurat Individuale, Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Ligji për Normat e Akcizës në Kosovë.
 
Në mbledhje është aprovuar edhe Projektligji për ndarjen e dekoratave nga Presidenti. Ky projektligj rregullon dhënien e dekoratave për qytetarët e Republikës së Kosovës, qytetarët e huaj si dhe personave juridik që shquhen për merita të veçanta ndaj Republikës së Kosovës dhe interesave kombëtare. 

Last modified: 27 Gusht, 2008

Comments are closed.

×