Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi priti ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani: Prioritetet e përbashkëta kundër krimit të organizuar

26 Shtator, 2008

Prishtinë,  26 shtator 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur ministrin e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e dy vendeve tona në fushën e luftimit të kontrabandës, krimit të organizuar dhe dukurive tjera devijante në shoqëri.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar ministrin shqiptar Nishani për punën e shkëlqyeshme të ministrisë që ai drejton dhe ka vlerësuar lart bashkëpunimin që është treguar në orientimet dhe prioritetet e përbashkëta shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në luftën kundër çdo lloj trafiku ilegal dhe krimit të organizuar.
 
“Ky bashkëpunim është dëshmuar së fundi edhe me përfundimin e suksesshëm të operacionit të koduar “Alberta” kundër trafiqeve ilegale të armëve”, – potencoi kryeministri Thaçi.
 
“Përkushtimi për bashkëpunim mes vendeve tona, vetëm sa do të rritet dhe ka mbështetjen e plotë të dy qeverive tona, që do të rezultojë me paqe dhe stabilitet rajonal. Ky bashkëpunim mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar dhe do të ketë avancim në të gjitha segmentet institucionale” tha kryeministri Thaçi.
 
Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani është shprehur se bashkëpunimi i mirë i dy ministrive të brendshme është një nga armët dhe instrumentet kryesore, i cili ne na ka çuar te suksesi i përbashkët.
 
Ministri Nishani ka theksuar se marrëveshja e nënshkruar midis ministrive të brendshme të dy vendeve tona, është edhe një element shtesë që do ta konsolidojë edhe më shumë bashkëpunimin.
 
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin për kontrollin dhe menaxhimin e kufijve. Është vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për kufij të hapur, por të sigurt, në mënyrë që të realizohet misioni i qeverive ndaj qytetarëve të dy vendeve, për garantimin e lëvizjes së lirë.

Last modified: 26 Shtator, 2008

Comments are closed.

×