Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Duke ndërtuar një shtet funksional, që në qendër të vëmendjes ka jetën e qytetarit, do të jemi ballëlartë para dëshmorëve

28 Shtator, 2008

Prishtinë, 28 shtator 2008
 
 
Zonja dhe zotërinj
 
Kalendari i historisë sonë të re është i pasur me data të rëndësishme.
 
Është i lavdishëm ashtu siç qenë të rëndësishme ngjarjet me karakter të qëndresës qytetare dhe çlirimtare.
 
Është i ndritshëm dhe madhështor ashtu siç qenë ata që lanë gjurmë të thella duke bërë kthesa historike.
 
Ferizaj me rrethinë gjithmonë ka qenë vatër e rezistencës.
 
Vend
prej nga kanë dalë atdhetarë e veprimtarë të devotshëm në të gjitha
periudhat historike, veçanërisht prej viti 1981 e deri tek lufta e
lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Zonja e zotërinj,
 
Sot
kur Ju shënoni Ditën e Dëshmorëve, nuk ka si të mos ndjehemi së bashku
krenarë dhe ballëhapur përballë emrit dhe veprës së dëshmorëve.
 
Shënohet dita e tyre për herë të parë në Kosovën e Lirë, të Pavarur, Sovrane dhe Demokratike.
 
Shënohet
dita e Dëshmorëve në Ferizajn që po merr çdo ditë e më shumë
fizionominë e një qyteti me tipare urbane, me një rrethinë e cila nga
dita në ditë është duke ecur me hapa të dukshëm përpara.
 
Simbolikisht në vitin e parë të pavarësisë, në Ditën e Dëshmorëve të Ferizajt do të përurohet rruga e asfaltuar e Jezercit.
 
Vend në të cilin u rezistua në ditët e vështira.
 
Vend në të cilin investohet në ditët e mira.
 
Investimi
në rrugë, në shkolla, në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë është
mesazhi më i mirë i respektit për ata që flijuan jetën për lirinë e
vendit tonë.
 
Qeveria
e sotme e Kosovës është e përkushtuar jetësisht që të punojë me
përgjegjësi të lartë, sepse qytetarët ia dhanë besimin e shtetkrijimit.
 
Qeveria
e Republikës së Kosovës me këmbëngulësi është duke e vënë çdo cent të
buxhetit të saj në projektet me interes të veçantë për përmirësimin e
infrastrukturës, ndërtimin e shkollave, ndërtimin e rrugëve dhe
krijimin e një baze për ekonominë e vogël dhe të mesme.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Ne
jemi duke punuar çdo ditë me përgjegjësi të lartë politike që qytetarët
ta ndiejnë dorën e pushtetit të tyre, që të jenë krenarë dhe dinjitoz
me punën e institucioneve të zgjedhura nga vullneti i tyre.
 
Qeveria
e Republikës së Kosovës është shumë e vendosur në luftën kundër
korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive negative që
ngulfatin zhvillimin e vendit dhe zbehin imazhin e Kosovës në botë.
 
Duke
ndërtuar një shtet të fortë ligjor, në baza të shëndosha, me
perspektivë euroatlantike, ne arsyetojmë besimin e qytetarëve tanë.
 
Duke
ndërtuar një shtet stabil, me politikë paqësore, arsyetojmë ndihmën e
miqve tanë që na ndihmuan në të kaluarën e afërt, që po na ndihmojnë
edhe sot në forcimin e pavarësisë së shtetit tonë.
 
Vetëm
duke ndërtuar një shtet funksional, që në qendër të vëmendjes ka jetën
e qytetarit, do të jemi ballëlartë para dëshmorëve, para të gjitha
kategorive sociale që kanë kontribuar me gjak dhe djersë për lirinë e
Kosovës.
 
Duke
shprehur respekt të veçantë për familjet e dëshmorëve, invalidët e
luftës dhe veteranët, institucioneve të komunës suaj u garantojmë se do
të gëzojnë mbështetje të gjerë nga pushteti qendror, në të gjitha
fushat, me besim që do t’i implementojnë projektet zhvillimore për
Ferizajn me rrethinë.
 
Lavdi Dëshmorëve

Last modified: 28 Shtator, 2008

Comments are closed.

×