Prishtinë, 28 tetor 2008
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, z. Mustafa Sarniç. Ambasadori Sarniç falënderoi kryeministrin Thaçi për bashkëpunim e gjithanshëm të Qeverisë së Kosovës me ambasadën turke në Prishtinë, me bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ambasadori Sarniç tha se Kosovën e pret një perspektivë dhe e ardhme e mirë, sepse Kosova po bëhet simbol paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi në rajon. Z. Sarniç çmoi lart nivelin e bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, dhe vlerësoi trajtimin e mirë dhe integrimin e komunitetit turk në institucionet e Kosovës, si në Qeveri ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e zhvillimit ekonomik, ambasadori Sarniç tha se Turqia do të vazhdojë të inkurajojë investitorët dhe të rris nivelin e bashkëpunimit me ekonominë e Kosovës.
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi ambasadorin Sarniç për punën e bërë në krye të misionit dhe më pas të ambasadës turke në Prishtinë. Kryeministri Thaçi falënderoi qeverinë turke për kontributin e dhënë në të kaluarën dhe premtoi thellim të bashkëpunimit edhe në të ardhmen me Ambasadën turke.
“Qëndrimi i Turqisë ishte i drejtë në raport me Kosovën dhe qeveria turke ishte ndër të parat që njohu shtetin e Kosovës”, tha mes tjerash kryeministri Thaçi, dhe shprehu besimin që Turqia do ta ushtrojë ndikimin e saj tek disa shtete për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Në fund kryeministri i Qeverisë së Kosovës, z. Hashim Thaçi tha se Kosova është duke krijuar gjithë infrastrukturën e duhur që biznesi ndërkombëtar të ketë kushte dhe siguri për të investuar në Kosovë, dhe se Kosova llogarit në investimet e biznesmenëve turq.
Last modified: 28 Tetor, 2008