Prishtinë, 28 Nëntor 2008
Me rastin e Festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, Ditës së Shtetësisë së Shqipërisë, Ditës së daljes publike të UÇK-së dhe Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama.
Pas takimit me kryesocialistin Edi Rama, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi para mediave falëmnderoi të gjitha qeveritë në Shqipëri, popullin shqiptar për mbështetjen e ofruar Kosovës. Në saje edhe të kësaj mbështetjeje, sot po ndërtojmë një vend demokratik, me perspektivë të sigurt për tu integruar në NATO dhe BE”.
Në takimin mes kryeministrit Thaçi dhe kryetarit të PSSH-së, Rama, është biseduar për për mundësitë edhe më të mira të bashkëpunimit institucional mes Tiranës dhe Prishtinës, bashkëpunim ky që do të rezultojë për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.
“Me vizionin tonë do të shikojmë mundësitë më të mira të bashkëpunimit dhe integrimeve kombëtare ne strukturat euroatlantike” – u shpreh kreu i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, theksoi se ka arsye për të besuar një të ardhme më të mirë.
“Ishte mbresëlënëse për ne ardhja në Prishtinë përmes rrugës së re, gjë që tregon se Kosova është në rrugën e duhur dhe se në fund të fundit përtej gjitha përpjekjeve dhe përplasjeve edhe të natyrshme në fazën e njohjes dhe konsolidimit të prezencës ndërkombëtare, ka një Kosovë reale, që evoluon në drejtimin e duhur”.
“Shqiptarët janë të vendosur për një skenar, skenarin e bashkimit të tyre në familjen evropian dhe integrimit ë tyre të plotë në BE, gjë që do të thotë se ne jemi tërësisht të vullnetshëm dhe të disponuar për të bashkëpunuar me gjitha institucionet me gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë jemi të qetë dhe të qartë në refuzimin kategorik të çdo manovre që nuk është në të mirën tonë, sepse besojmë se e mira jonë është në të mirë të Ballkanit” – theksoi z.Edi Rama.
Pas takimit me kryetarin e PSSH-së, kryeministri Thaçi është deklaruar edhe për Deklaratën Presidenciale të KS të OKB-së.
“Deklarata e Presidencës së KS të OKB-së e vlerëson Kosovën. Ne e kemi dhënë mbështetjen e plotë si institucione EULEX-it, një mbështete që vjen nga mandati që ka nga Bashkimi Evropian. është inkurajues që në raportine Këshillit të Sigurimit përfshihet refuzimi i instiucioneve të Kosovë dhe në pjesën tjetër përfshihet 4 pikëshi i institucioneve tona” – tha kryeministri Thaçi.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë: mbështetje dhe bashkëpunim të plotë EULEX-it dhe një JO shtetërore dhe 2 milionëshe nga Kosova për gjashtë pikëshin. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Koosovës nuk do të lejohet të cenohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë për asnjë centimetër. EULEX e ka mandatin, ka veshur uniformën , por ato pamje të Fushë-Kosovës dhe Malishevës duhet të shihen në veri të Mitrovicës. Do të jem mbështetës kryesor i EULEX-it si kryeministër, por edhe në çdo mos veprim të EULEX-it nga dita e mandatit do të jem kritiku më i ashpër ndaj mos veprimit” – u shpreh i vendosur kryeministri Hashim Thaçi.
“Jam optimist se do të kemi veprim konkret dhe do të ndryshojnë rrethanat, që në veri të mos ketë struktura paralele, të mos ketë paramilitare, struktura jo legjitime dhe njerëzit të fillojnë të kthehen në pronat e tyre” – potencoi kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Në interesimin e medias lidhur me mandatin e EULEX-it në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi theksoi se asnjë mekanizëm nuk mund të jetë neutral në Kosovën, shtet i pavarur dhe sovran me kushtetutën e vet moderne dhe Dokumentin e Presidentit Ahtisari.
Last modified: 28 Nëntor, 2008