Prishtinë, 28 Nëntor 2008
Me rastin e Festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, Ditës së Shtetësisë së Shqipërisë, Ditës së daljes publike të UÇK-së dhe Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramë Manaj, ministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Zenun Pajaziti, Fehmi Mujota, Justina Pula, Alush Gashi, ka bërë homazhe para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Kompleksion Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Më pastaj, kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kabineti qeveritar, si dhe nga kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama dhe sekretari i PSSH-së, Pandeli Majko, ka vizituar edhe familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, ku është pritur nga nipat e komandantit Murat Jashari e Bekim Jashari dhe familjarë të tjerë.
Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se ka ardhur në Prekaz për ta shprehur respektin, mirënjohjen më të madhe për këtë Ditë të madhe të shqiptarëve.
Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se 28 Nëntori është një festë që i bashkon të gjithët, kudo që janë, por sot ndihemi edhe më krenarë, sepse festa jonë kombëtare po shënohet për herë të parë në historinë e shqiptarëve në Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike, me perspektivë të qartë dhe të sigurt integruese në strukturat Euro-Atlantike.
“Është kjo festa e Flamurit, festa e ditëlindjes së babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Jashari”, ka potencuar kryeministri Hashim Thaçi në Prekaz.
Pas Prekazit, kryeministri Hashim Thaçi dhe kabineti qeveritar i vendit, kanë marrë pjesë edhe në një manifestim mashështor për nder të Festës së 28 Nëntorit, që është mbajtur në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.
Last modified: 28 Nëntor, 2008