Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi takon liderin e BDI-së, Ali Ahmeti

26 Janar, 2009

Prishtinë, 26 janar 2009
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovë. Temë e këtij takimi ka qenë bashkëpunimi midis  Kosovës dhe Maqedonisë si dhe zhvillimet aktuale në vend.
 
Kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti  kanë vlerësuar bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve dhe kanë çmuar rolin aktiv dhe konstruktiv të Maqedonisë gjatë gjithë procesit pas shpalljes së pavarësisë. Kryeministri falënderoi z. Ahmeti për angazhimin e tij në njohjen e Kosovës nga Maqedonia.
 
Kryeministri Thaçi është shprehur optimist për ngritjen e marrëdhënieve në nivel të ambasadave në Shkup dhe Prishtinë, dhe se ky bashkëpunim është edhe në interesin e stabilitetit në rajon dhe të integrimeve euroatlantike.
 
“Dëshira dhe vullneti ynë për zgjedhjet në Maqedoni është që atje të ketë zgjedhje të lira të ndershme dhe demokratike”, theksoi kryeministri Thaçi.
 
Ndërsa kryetari i BDI-së, partisë në pushtet në Maqedoni, Ali Ahmeti tha se e ka njoftuar kryeministrin e Kosovës për shumë iniciativa që janë marrë në drejtim të lidhjeve më të mira mes Kosovës dhe Maqedonisë. Z. Ali Ahmeti ka siguruar kryeministrin Thaçi për bashkëpunim të gjithanshëm midis dy vendeve, sidomos në çështjet e infrastrukturës rrugore, energjetikë ekonominë e ujerave dhe sektorët tjerë.
 

Last modified: 26 Janar, 2009

Comments are closed.