Prishtinë, 5 shkurt 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot komisionarin e lartë për minoritete të OSBE-së, Knut Vollebaek. Gjatë takimit është biseduar për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe posaçërisht për angazhimet për integrimin e minoriteteve në Kosovë.
Kryeministri Thaçi, ka njoftuar z.Vollebaek lidhur me progresin e arritur të institucioneve të Kosovës në implementimin e dokumentit të presidentit Ahtisari, në respektimin dhe avancimin e te drejtave të minoritarëve, dhe punën për ndërtimin e një shoqërie multietnike efikase në kuptimin e integrimit të plotë të minoriteteve .
Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova gradualisht po bëhet model i respektimit të të drejtave të njeriut në rajon, duke inkorporuar në mënyrën më afirmative të mundshme edhe minoritarët në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Me gjithë vështirësitë që kemi pasur në të kaluarën, e cila ka qenë ë hidhur, tash është koha që të gjithë të shikojmë përpara, t’i marrim dhe t’i implementojmë angazhimet tona në raport që kemi me dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe respektimin afirmativ të të drejtave të minoritarëve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar që të punojë maksimalisht me të gjithë. Kosova është vend demokratik, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për minoritarët”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se do të punojmë sipas standardeve më të afirmuar ndërkombëtare.
Është me rëndësi që të gjithë minoritarët të jenë pjesë edhe e Parlamentit, Qeverisë që udhëheq unë; është formuar edhe Këshilli Konsultativ pranë Presidentit; funksionon edhe Zyra ime në kapacitetin tim kryeministror; kemi ndarë edhe mjete financiare; jemi duke bërë çmos me të gjitha përgjegjësitë tona shtetërore që ta inkurajojmë edhe më tej kthimin e të gjithë të zhvendosurve, të cilët dëshirojnë të vijnë në pronat dhe shtëpitë e tyre në Kosovë, në mënyrë që sot, një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosova të ecë me një perspektivë të sigurt evropiane, perspektivë të sigurt të respektimit të të drejtave të njeriut, perspektivë të sigurt integruese të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, por para së gjithash ne duhet të kemi sukses në Kosovë dhe suksesi është i garantuar z. ambasador”, ka thënë kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Nga ana e tij, komisionari i lartë për minoritete në OSBE-së, Knut Vollebaek tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do ti adresoj të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me minoritete dhe do të angazhohet për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare si e vetmja rrugë e prosperitetit të Kosovës.
Ambasadori Vollebaek shprehu bindjen se Kryeministri dhe ekipin i tij, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë, do t’a respektojmë diverzitetin dhe integrimin në shoqëri të komuniteteve joshqiptare.
Last modified: 5 Shkurt, 2009