Zyra e Kryeministrit

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës

17 Mars, 2009

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës
 
Prishtinë, 17 Mars 2009

Ngjarjet tragjike të marsit 2004 shënuan një ndër episodet më të errëta në historinë tonë të kohëve të fundit. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës i dënuan atëherë, dhe i dënojnë tani, sulmet e kryera në atë ditë. Duke kujtuar ato ngjarje, populli dhe Qeveria e Kosovës edhe një herë përsërisin solidaritetin e përbashkët me të gjithë ata që janë prekur nga ato ngjarje fatkeqe. Ne qëndrojmë fuqimisht të zotuar për t’i riparuar dëmet e bëra, veçanërisht për të rinovuar, rindërtuar dhe për të ofruar siguri për kishat ortodokse serbe. Për këtë arsye, Policia e Kosovës sot ruan shumë nga kishat ortodokse serbe në Kosovë.

Ne nuk mund ta ndryshojmë historinë, por ne mund të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar se ngjarje të tilla të dhunshme nuk do të përsëriten më dhe që të gjitha komunitetet në Kosovë t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara dhe të mund të ndihen të sigurt dhe të lirë. Ne jemi thellësisht të bindur se dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe zbatimi i plotë i Planit të Presidentit Ahtisaari do të na ndihmojë për të arritur këtë qëllim. Për më tepër, të gjithë faktorët e shoqërisë në Kosovë duhet të jenë të përgatitur për tu përgjigjur me pjekuri dhe gjakftohtësi ndaj të gjitha sfidave politike dhe të sigurisë që mund të shfaqen në të ardhmen.

Sot, përderisa ne i kujtojmë ngjarjet e dhimbshme të marsit 2004, i ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të vazhdojmë bashkërisht me përkushtimin tonë të fuqishëm drejt ndërtimit të një shteti demokratik të bazuar në sundimin e ligjit, në tolerancë dhe në respektin për të gjithë qytetarët. Në Kosovën e re, nuk do të ketë hapësirë për urrejtje dhe dhunë.

Last modified: 17 Mars, 2009

Comments are closed.