Zyra e Kryeministrit

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, aprovon tri projektligje

19 Mars, 2009

Prishtinë, 19 mars 2009

Në fjalën e hyrjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar zhvillimet e javës së fundit, duke veçuar takimin me përfaqësues të shtëpive botuese në Kosovë dhe mbështetjen që Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë botuesve të librit në të ardhmen, me lirimin e librit nga pagesa e Tatimit në Vlerën e Shtuar.

Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar edhe takimet që ka zhvilluar me komunitetin e biznesit dhe angazhimin e përgjithshëm të kabinetit qeveritar për përmbushjen e objektivave programore të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka shqyrtuar dhe ka aprovuar Projektligjin për Armët, i cili rregullon kushtet për blerje, posedim, mbajtje, ruajtje, prodhim, riparim, paaftësim, shitje, transportim, importin dhe eksportin e armëve për personat fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës.

Dispozitat e këtij projektligji nuk zbatohen për armatimin ushtarak, pajisjet, armët dhe municionin e dedikuar për nevojat e Forcës së  Sigurisë së Kosovës, Agjensionit për Inteligjencë të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe organeve të tjera të autorizuara shtetërore.

Në mbledhje është aprovuar edhe Projektligji për Ruajtjen e Rendit dhe Qetësisë Publike. Projektligji adreson çështjet që kanë të bëjnë me ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe përcaktimi i veprimeve që paraqesin prishje të rendit dhe qetësisë në vendet publike apo në hapësirat private si dhe sanksionet për këto veprime.

Gjithashtu është aprovuar edhe Projektligji për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar apo Konfiskuar. Me këtë ligj do të themelohet Agjensioni për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar apo të Konfiskuar si Agjension ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Agjensioni do të ruajë dhe menaxhoj pasurinë e sekuestruar apo konfiskuar në bashkëpunim me prokurorinë, gjykatën, apo organet tjera kompetente, në pajtim me ligjin në fuqi, me përjashtim të pasurisë së konfiskuar për realizimin dhe mbledhjen e detyrimeve tatimore.

Last modified: 19 Mars, 2009

Comments are closed.