Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: Qeveria e Republikës së Kosovës, thellësisht e përkushtuar për Kosovën, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj

18 Mars, 2009

Prishtinë, 18 mars 2009

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e gjashtë ndërministror për decentralizimin.

I nderuar z. Feith,
Të nderuar Ambasadorë,
I nderuari ministër Ferati,
Të nderuar Ministra,
Anëtarë të grupit punues,
Përfaqësues dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë,
 
Jemi këtu për të shprehur përkrahjen dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të krijuar një Kosovë ku mbizotëron toleranca, dialogu dhe mirëkuptimi ndërmjet të gjitha komuniteteve, ashtu siç është cekur shprehimisht edhe në Kushtetutën e vendit tonë, edhe në dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe ashtu siç është edhe vullneti i tyre.
 
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të krijoj kushtet e domosdoshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë në mënyrë që të ruajë, mbrojë dhe zhvillojë identitetin e tyre. Kosova është një shtet multi-etnik dhe Qeveria është e përkushtuar t’i ndihmoj të gjitha komunitetet, pa dallim dhe të jetë në shërbim të tyre.
 
Shfrytëzoj rastin t‘i ftoj të gjithë qytetarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, t’i bashkohen këtij udhëtimi të përbashkët, që shpie drejt të ardhmes së Kosovës në integrimin evropian dhe atyre Euro-Atlantike.
 
Është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës të respektojë parimin afirmativ për respektimin dhe garantimin e të drejtave të minoritarëve. Në kuadër të kësaj, decentralizimi është prioritet yni, është pa dyshim parim i botës demokratike. Ky proces do ta shpie Kosovën më afër idealeve Evropiane. Decentralizimi nënkupton të drejtat e qytetarëve, që të kenë ndikim të drejtpërdrejt  në vendim marrje për çështjet praktike, si ato të kujdesit shëndetësor, arsimimit, shërbimet komunale, ndërtimin e infrastrukturës rrugore, etj. Por që kjo të jetë e mundur, anëtarët e komuniteteve  duhet të marrin pjesë dhe të jenë të denjë dhe të jenë pjesë, t’i marrin përgjegjësitë e tyre, të dëgjohet zëri i tyre dhe të jenë pjesë e implementimit. 

Vendimi i grupit ndërministror për decentralizim për shpalljen e anëtarëve të Ekipit Përgatitor Komunal  (EPK) është i një rëndësie të veçantë i cili do të përfshijë qytetarët në krijimin dhe funksionimin e komunave të reja.
Format e aplikimit janë të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Kjo është një mundësi e mirë për banorët e zonave për të marr pjesë në vendimet të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre.  Pra, do të punojmë që të kemi komuna të reja, por Kosovë multietnike.
 
Për më shumë, Qeveria e Kosovës do ti merr edhe obligimet që dalin edhe aspekti financiar. Rezervat buxhetore (3.3 milion euro) janë ndarë për projekte urgjente të infrastrukturës ku përfitues të drejtpërdrejt do të jenë edhe komuniteti shqiptar, edhe ai serb, edhe komunitetet tjera.
 
Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar, të bëj  çdo gjë që është e mundur nga ana jonë, që Kosova të jetë  vend, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, ku të gjithë do t’i gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta, me të drejta të afirmuar për komunitetet, edhe serbë, boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkalinjë, egjiptianë dhe të gjitha komunitet që jetojnë në Kosovë 
 
Në kudër të kësaj, ne do të vazhdojmë përkushtimin edhe për trashëgiminë kulturore. Kosova është e shquar për shumëllojshmërinë kulturore, si të shtëpive tradicionale, ndërtesa monumentale, kështjella, ura, kisha, xhamia, manastire, teqe, tyrbe, hamame, kulla dhe të tjera, të cilat e bëjnë Kosovën një vend më atraktiv. Do të vazhdohet gjithashtu që institucionet tona t’i marrin hapat e nevojshëm drejt zhvillimit të sistemit arsimor, që garanton mbrojtje dhe promovimin e të drejtave arsimore për komunitetet në përputhshmëri me ligjet e zbatueshme dhe standardet ndërkombëtare.
 
Gjithashtu sa i përket procesit të kthimit dhe pronave, Qeveria plotësisht e pranon se mungesa në  zgjidhjen e suksesshme te kontesteve pronësore është, pra, të mos jetë vazhdimësi e neglizhencës, por të jetë me veprime konkrete në zgjidhjen e rasteve të mbetura në gjykata. Komisioni i Ankesave i Agjencisë Kosovare për Prona, përfaqëson, mund të them një pengesë serioze  për kthimin e personave të zhvendosur (IDPs) dhe të refugjatëve, si dhe të investimeve. Por, përkushtimi i  Qeverisë, është vullneti i plotë dhe marrja e përgjegjësive në kuadër të kompetencave autoriteteve që kemi për kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre.
 
Gjithashtu sot kemi këtu edhe ministrat përkatës dhe autoritet tjera, ekspertë, që do të punojnë edhe në aspektin e shëndetësisë edhe të mirëqenies sociale.
Kam cekur edhe më herët se një numër i hapave konkretë janë bërë.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës synon për të arritur në realizimin e objektivave të të gjitha komuniteteve, gjithë qytetarëve të Kosovës, një vend ku çdo qytetar do të ndihet mirë, krenar për të jetuar.
 
Programi ynë haptazi përkrahë këtë proces të rëndësishëm; i cili kërkon që të tejkalohen edhe shumë sfida; i cili kërkon edhe dialog dhe komunikim të drejtpërdrejt edhe me qytetarët; që kërkon unitet edhe politik, edhe qytetar.
 
Falënderoj gjithë komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen e plotë.
 
Ne kemi pasur dialogje edhe nëpër komuna edhe me z.Feith edhe me ministrin e Pushtetit Lokal dhe unë besoj se do të vazhdohet të punohet në këtë drejtim dhe besoj në hapat konkret, hapa, të cilët do të jenë domethënës në realizimin e objektivave tona
 
Faleminderit dhe suksese!

Last modified: 18 Mars, 2009

Comments are closed.