Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Kuçi thekson angazhimet e Qeverisë dhe të EULEX-it për një sistem të integruar të drejtësisë në Republikën e Kosovës

17 Mars, 2009

Prishtinë, 17 mars 2009

Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon, ka zhvilluar sot takimin e rregullt Bordi Koordinues për Sundimin e Ligjit.

Në fjalën e hapjes, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka theksuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me misionin e EULEX-it, në shtrirjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe për një sistem të integruar të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

 

Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, kanë dëshmuar progresin që është duke u ndërtuar në Kosovë për funksionimin e rendit dhe ligjit.

”Dua të ju siguroj se jemi të vendosur që të vazhdojmë punën tonë në mënyrë që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë qasje të pakufizuar në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Yves de Kermabon.

 

Bordi ka shqyrtuar punën e Qendrës së Inteligjencës Financiare dhe ecurinë e punës së grupit punues për hartimin e Ligjit për Shpëlarjen e Parave në Kosovë, i cili do të jetë në përputhje me standardet evropiane.

 

Në takim është diskutuar edhe fillimi i punës së gjykatave në veri të Kosovës, me fillimin e proceseve gjyqësore të udhëhequra nga gjykatës të EULEX-it. Këtë hap e ka përshëndetur edhe Qeveria e Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen për vazhdimin  e punës. Fillimi i punës së gjykatave në veri të Mitrovicës dëshmon edhe për ndryshimin e perceptimeve të opinionit për nevojën e funksionimit të drejtësisë edhe në këtë hapësirë.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka prezantuar informatë për çështjen e policëve, pjesëtarë të komunitetit serb të suspenduar me pagesë, duke theksuar angazhimin e të gjithë faktorëve relevant për kthimin e tyre në vendet e punës.

 

Nga 330 policë të suspenduar, vetëm 18 policë, vullnetarisht janë kthyer deri tani në vendet e tyre të punës. Masat e ndërmarra për këtë çështje do të diskutohen edhe në takimin e ardhshëm të Bordit.

 

Ministri ka njoftuar Bordin edhe për përgatitjet për lëshimin e targave të reja të automjeteve në Republikën e Kosovës. 

Last modified: 17 Mars, 2009

Comments are closed.