Prishtinë, 16 mars 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndërmarrë edhe një hap të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të Pesë Prioriteteve Strategjike të Qeverisë për vitin 2009. Pas emërimit të Dr. Dejvid Klajn si këshilltar i jashtëm i Kryeministrit për ekonomi, këtë mbrëmje, mjeku i njohur shqiptaro-amerikan, Dr. Rifat Latifi, do të mbërrijë në Kosovë për të filluar angazhimin e tij si këshilltar i jashtëm i Kryeministrit për shëndetësinë.
Emërimi i Dr. Latifit në këtë pozitë është konkretizim i angazhimeve në sektorin e shëndetësisë, që është një ndër prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës së tij të parë në këtë cilësi, Dr. Latifi do të zhvillojë takime të shumta për të marrë mendimet e të gjitha palëve të përfshira në shëndetësinë kosovare.
Nesër, ai do të vizitojë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe disa spitale nëpër Kosovë, për të mësuar më tepër në lidhje me vështirësitë me të cilat përballen pacientët dhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore.
Të mërkurën, ai do të takohet me zyrtarë dhe profesionistë të sektorit të shëndetësisë për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor për nevojat e të gjithë kosovarëve.
Të enjten, Dr. Latifi do t’i diskutojë gjetjet e tij me Kryeministrin, me ç’rast do të shkëmbejnë ide rreth mënyrës më të mirë të ecjes përpara në rrugën e përmirësimit të përgjithshëm të shëndetësisë kosovare.
Pas këtij diskutimi, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp në lidhje me përfundimin e vizitës së parë të Dr. Latifit.
Dr. Latifi planifikon që të përdor këtë vizitë për të përforcuar njohuritë e tij për gjendjen dhe sfidat e shëndetësisë kosovare, në funksion të krijimit të një plani të hollësishëm strategjik për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në vitin 2009, dhe më tutje.
Dr. Latifi është person i kualifikuar për këtë pozitë si një ekspert me përvoja globale, si njohës i problemeve të sektorit të shëndetësisë në Kosovë dhe po ashtu si një mjek i mirënjohur në nivel ndërkombëtar.
Ai ka diplomuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe më pas është specializuar si kirurg në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin Jejl, ku ka shërbyer si shef i specializantëve në Departamentin e Kirurgjisë.
Gjatë karrierës së tij të pasur, ka punuar edhe në universitete dhe qendra spitalore në Teksas, Filadelfi, Nju Jork dhe Virxhinia. Aktualisht, ai është Profesor i Kirurgjisë Klinike në Universitetin e Arizonës, ku mban disa poste të rëndësishme, duke përfshirë pozitën si Zwvendws Kryeshef pwr Marrwdhenie Ndwrkombwtare, dhe Zwvendws-Drejtor i Traumatolgjisw, Kujdesit Kritik Kirurgjik dhe Kirurgjise Emergjente, si dhe Drejtor i Shërbimeve të Telemjekësisë.
Dr. Latifi ka dhënë një kontribut të shquar akademik edhe përmes botimit të tetë librave dhe mbi 100 artikujve shkencor si autor ose bashkë-autor.
Dr. Rifat Latifi është një kosovar që ka kaluar jetën duke qenë i përkushtuar për mirëqenien e pacientëve në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe me angazhime konkrete në funksion të reformimit të kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Last modified: 16 Mars, 2009