Prishtinë, 19 shkurt 2009
Fjala në Akademinë Përkujtimore me rastin e 64 – vjetorit të rënies së komandantit Shaban Palluzha dhe shpalljes së tij Hero i Kosovës
Zonja dhe zotërinj,
Fundi i Luftës së Dytë Botërore po shënonte fitoren e forcave demokratike në Evropë, fitoren e koalicionit antifashist, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në këtë luftë, që kishte përfshirë edhe Ballkanin, shqiptarët kanë dhënë një kontribut të çmuar.
Fatkeqësisht fitorja mbi fashizmin në plan botëror nuk ishte fund i shtypjes dhe as ardhje e lirisë për shqiptarët e Kosovës. Përkundër kontributit të tyre, Kosova nuk arriti ta realizojnë Rezolutën e Bujanit.
Forcat komuniste serbo-jugosllave paraprakisht kishin ndërtuar strategjinë e ripushtimit të Kosovës, duke konstruktuar motive dhe shkase ideologjike që ta arrinin rianeksimin e Kosovës me Serbinë, gjegjësisht Jugosllavinë.
Në kohën kur Kosova do të duhej ta përjetonte lirinë, forcat çetniko – partizane po nisnin një fushatë edhe më të ashpër kundër shqiptarëve në Kosovë.
Këtë strategji serbe të ripushtimit të Kosovës, të gjitha shenjat e kobshme të saj, i kishte kuptuar dhe ndjerë populli i Kosovës, i cili nuk mund të mashtrohej nga maska ideologjike dhe parullat boshe të strukturave partizane dhe komuniste.
Nënshtrimi i Kosovës përmes terrorit ishte program i komunistëve serb dhe jugosllav. Duke shfrytëzuar premisat e tendencës historike të fitores mbi fashizmin, kreu politik dhe ushtarak i Beogradit, i kamufluar me ideologjinë komuniste, nisi një fushatë vrasjesh, masakrimesh dhe represioni të paparë.
Në gjysmën e dhjetorit të 1944-ës, një njeri autoritativ në popull, një burrë i thyer në moshë, shumë vizionar dhe i sprovuar në jetë, trim dhe strateg njëkohësisht, Shaban Palluzha, vendos që të vihet në mbrojtje të popullatës të Drenicës.
Në Drenicë kundër të keqës serbo-komuniste luftoi e gjithë Kosova. Luftëtarë nga e gjithë Kosova morën pjesë në këtë rezistenë heorike.
Shaban Palluzha kishte fituar përvojën luftarake në mbrojtje të popullatës së rrezikuar në betejat kundër forcave çetnike që sulmonin popullatën e pa mbrojtur shqiptare dhe boshnjake të Sanxhakut, që në vitin 1941.
Shaban Palluzha u tregua vizionar i perspektivës historike, duke u udhëhequr popullin në luftër për çlirim, përkundër faktit se po ballafaqohej me një fuqi, trendet e së cilës në atë kohë nuk mund të ndërpriteshin lehtë.
Lufta që udhëhoqi Shaban Palluzha është e përmasave historike. Drejtësinë e veprimeve të tij e vertetoi historia. Ajo përbën rezistencën e parë në Europë ndaj vendosjes brutale të komunizmit.
Në Brigadën e tij ishin rreshtuar burrat më të vendosur për ta mbrojtur Kosovën nga formacionet ushtarake serbe. Ata nuk pranuan ta lëshonin Kosovën dhe ta lënin nën mëshirën e atyre formacioneve.
Shaban Palluzha vendos që ta ndajë fatin me popullin e tij. Prej 24 janarit 1945 deri më 22 shkurt 1945 Brigada e Shaban Palluzhës zhvillon luftime të pareshtura me forcat serbe të organizuara në shumë brigada.
Terrori nëpër Kosovë kishte filluar me muaj të tërë para rezistencës së Brigadës së Shaban Palluzhës. Mbi popullatën e varfër të lodhur nga lufta dhe varfëria po kryeheshin krime të rënda, vrasje me metoda brutale. Në kujtesën popullore janë ruajtur me vite të tëra dëshmitë për skena rrëqethëse civilët, që bëheshin ato ditë.
Shaban Palluzha me bashkëluftëtarët e tij me stoicizëm të pashoq do të rezistojnë një muaj të tërë. Ata do të dëshmojnë se sa vlera të thella morale ruajnë njerëzit e Kosovës në mbrojtje të trojeve të tyre.
Mbi dyzet mijë trupa ushtarake do të angazhohen në luftë kundër brigadës së Shaban Palluzhës. Përkundër potencialeve të pabarabarta luftëtarët e Brigadës së tij do të rezistojnë ditë e natë duke i bërë fushëbetejë shumë vendbanime të Drenicës dhe rreth saj.
Edhe në kushte të një lufte të pabarabartë organizimi ushtarak i brigadës së Shaban Palluzhës tregoi disiplinën ushtarake, etikën dhe kodin e luftës së drejtë mbrojtëse. Kjo u dëshmua me trajtimin human dhe lirimin pa kushte të robërve që ziheshin pas përfundimit të betejave të suksesshme.
Politika e eliminimit të pjesës më vitale të kombit, jepej qartë edhe në udhëzimet e kreut të lartë ushtarak e politik të Beogradit. Në emër të luftës ideologjike, në emër të gjoja bashkëpunimit me okupatorin, ata kishin hapur mundësinë e likuidimit të gjithë atyre që pengonin shtrirjen e sundimit komunist të Kosovës.
Me 8 shkurt 1945 shefi i partizanëve, Tito, Kosovën e fut nën administrim ushtarak. Ishte ky një pretekst për të shuar çdo zë që kundërshtonte rrugën e aneksimit de facto dhe de jure të Kosovës nën administrimin e Serbisë.
Rezistenca e Brigadës së Shaban Palluzhës dhe kundërvënia që i bëri asaj pushteti komunist ishte tregues real i pozicionit politik të Kosovës. Ëndrra për lirinë ishte e largët.
Zonja dhe zotërinj,
Për një periudhë gjysmëshekullore Lufta e Drenicës, rezistenca e Shaban Palluzhës dhe luftëtarëve të tij është heshtur, është shpallur armiqësore, kundërrevolucionare dhe e ndaluar. Pavarësisht prej injorimeve të tilla, ajo luftë dhe figura e luftëtarëve të kësaj brigade kanë jetuar në kujtesën e popullit.
Për një gjysmë shekulli, nga sistemi komunist Kosova është diskriminuar. Por për asnjë çast populli i saj nuk ka e pushuar kultivimin e ndjenjës së dashurisë ndaj lirisë dhe atdheut.
Pikërisht nëpër ato vendbanime ku 53 vjet më parë luftoi Shaban Palluzha me bashkëluftëtarët e tij nga e gjithë Kosova, aty do të ngriten shumë formacione të UÇK-së, do të ngriten brigadat e UÇK-së, dhe nëpër ato vende do të luftojnë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
53 vjet më pas në një vendbanim pothuajse fqinj me atë ku ra Shaban Palluzha, do të luftojë heroikisht Komandanti legjendar Adem Jashari, për ta filluar një epokë të re për historinë e Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Kjo Akademi përkujtimore mbahet tri ditë pas festimit të përvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës së lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.
Duke përkujtuar 64 vjetorin e rënies heroike të Komandantit Shaban Palluzha, kujtojmë figurën e tij, të bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë drejtësinë e luftës së tij, qëndrimin, dhe sakrificën e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij.
Historia mund të jetë e padrejtë për një kohë ndaj individëve, ndaj gjeneratave, ndaj një populli të tërë, por e vërteta dhe përkushtimi për lirinë e atdheut janë kategori filozofike dhe morale që nuk mund të mbyten nga asnjë diktaturë apo ideologji totalitare.
Ne, sot, duke përkujtuar Shaban Palluzhën, kujtojmë gjithë brezin e bashkëluftëtarëve të tij anembanë Kosovës, kujtojmë dhe bëjmë homazh për gjithë ata njerëz që pësuan pa faj në një kohë të turbullt historike.
Lavdi emrit dhe veprës së Shaban Palluzhës dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Last modified: 19 Shkurt, 2009