Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi fëmijën e parë të Pavarësisë

16 Shkurt, 2009

Prishtinë, 16 shkurt 2009
 
Një ditë para se të mbushë një vjet, Pavarësie Sopa, shtëpia e prindërve të saj në Sllovi të Lipjanit, u bë nikoqire e Kryeministrit Hashim Thaçi. Pavarësia ka lindur vitin e kaluar, vetëm pesë minuta pasi kryeministri Thaçi kishte paraqitur Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe është foshnja e parë e lindur në shtetin e ri,

Tani, në një vjetorin e lindjes, vogëlushja me emrin Pavarësi, tashmë si nikoqire priti Kryeministrin Thaçi për të marrë urimet për ditëlindjen e saj.

I gostitur në shtëpinë e Xhevdet dhe Lumturije Sopës, prindërve të Pavarësisë, Kryeministri Thaçi, pasi e mbështolli me shall dhe i vuri kapelën me simbolet e shtetit të Kosovës, theksoi se ka ardhur ta përgëzojë dhe t’i urojë shëndetin më të mirë e jetë të gjatë fëmijës së parë në Kosovën e pavarur, shtet sovran dhe demokratik, që simbolikisht e ka emrin Pavarësi.

“Të gjitha përpjekjet tona dhe të gjeneratave, që kanë dhënë shumë për këtë vend, kanë qenë që të bëhemi një shtet i shëndetshëm dhe funksional, një shtet që të gjithë fëmijët e Kosovë të rriten si gjithë fëmijët e lumtur të botës, andaj unë jam i lumtur se edhe Pavarësia juaj dhe e jona do të rritet e lirë dhe do të shkollohet sipas standardeve moderne. Të kemi jetë të lumtur, më tepër dashuri, gëzim dhe solidaritet dhe secili nga ne do të ndjehet krenar dhe ta festojmë në mënyrë të dinjitetshme, siç e kemi festuar vjet shpalljen edhe sivjet ta festojmë përvjetorin”, – ka thënë kryeministri Thaçi.

Pasi vizitoi fëmijën e vetëm të bashkëshortëve Sopa, Kryeministri Thaçi, nga oborri i shtëpisë së tyre, dërgoi mesazhe edhe për të ardhmen e vendit dhe mënyrës se si do të kremtohet përvjetori i parë i shtetësisë.

Kryeministri Thaçi ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, të festojnë me dinjitet dhe krenari.

“Është viti i suksesit historik të Kosovës. Viti i kremtimit të madh të këtij përvjetori të suksesit të popullit dhe institucioneve të Kosovës, mbështetjes mbarëndërkombëtare nga Uashingtoni, Brukseli dhe nga NATO-ja”, – ka thënë kryeministri Thaçi.
“Kosova ka të ardhme të sigurt, andaj duhet të festohet me dinjitet dhe krenari. Do të kemi protokoll të lartë shtetëror, por edhe do të kemi kremtim të madh gjithëqytetar”, – ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi.

Në lidhje me paralajmërimet nga Serbia se deputetët e këtij shteti, më 17 shkurt, në ditën e kremtimit të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të vijnë të mbajnë seancë në veri të Kosovës, Kryeministri Thaçi tha se Kosova e ka agjendën e vet të kremtimit dhe se atë nuk do të mund askush ta ndryshojë, ndërkohë që shprehu keqardhjen e tij për politikën që udhëhiqet nga Beogradi, për të cilin tha se ende ka mbetur në mentalitetin e kremtimeve të humbjeve që pëson vazhdimisht.

“Askush nuk do të mund ta destabilizojë Kosovën. Do të kemi kremtim paqësor dinjitoz, krenar me mesazhe shumë të urta, mirëkuptuese të bashkëjetesës dhe të ndërtimit të shoqërisë multietnike. Bota na vështron dhe ne do të kremtojmë ashtu siç na ka hije”, – ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se vitin e ardhshëm, në përvjetorin e dytë të pavarësisë, Kosovën e sheh si pjesë të FMN-së Bankës Botërore, me më tepër njohje, me më tepër zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale, më shumë progres dhe më afër bashkimit evropian.

“Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve me të drejta të barabarta për të gjithë”, – ka thënë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij në familjen e Pavarësisë.

Last modified: 16 Shkurt, 2009

Comments are closed.