Prishtinë, 12 shkurt 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mbajti sot një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, me ç’rast ka diskutuar lidhur me koordinimin e aktiviteteve shtetërore me të cilat pritet të festohet 17 shkurti, një vjetori i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.
Kryeministri Hashim Thaçi para kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës ka thënë se gjatë këtij viti të parë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran të gjithë ne jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme, por edhe sukseset kanë qenë të mëdha.
Në vazhdim po japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi.
Të nderuar kryetarë të Kuvendeve Komunale,
Së pari ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë takim.
Jemi në prag të festës së madhe të Pavarësisë së Kosovës.
Është moment i kremtimit dhe krenarisë, por edhe moment i vlerësimit për atë që kemi bërë gjatë një viti ekzistence të shtetit tonë dhe fuqizimit të përkushtimeve tona për detyrat e reja që kemi përpara.
Janë detyra të shumta dhe sfiduese.
Gjatë këtij viti të parë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran të gjithë ne jemi përballur me sfida të jashtëzakonshme, por edhe sukseset kanë qenë të mëdha.
Të gjithë bashkë, hap pas hapi, me maturi dhe vetëbesim, ia dolëm ti funksionalizojmë institucionet e shtetit tonë demokratik: simbolet shtetërore, kushtetutën e standardeve më të larta demokratike, kompletimin e mekanizmave të qeverisjes dhe atyre të sigurisë nacionale.
Krahas kësaj kemi përmirësuar kualitetin e qeverisjes dhe kemi ndërtuar një ambient të sigurt për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Këto punë nuk janë kryer ende. Shtetndërtimi vazhdon.
Prandaj, për asnjë moment nuk duhet të ndjejmë lodhje apo zbehje në angazhimet tona. Energjitë nuk na mungojnë.
Për asnjë moment nuk duhet të harrojmë ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që u gjetën pranë nesh në të gjitha situatat e ndërlikuara që kaluam.
Pas një viti pavarësie, të gjithë ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, kemi të drejtë të ndjehemi krenarë me faktin se nuk i zhgënjyem pritjet e miqve të lirisë sonë.
Me moral të lartë civilizues dhe me dinjitet kremtuam lindjen e shtetit tonë të pavarur e sovran.
Me të njëjtën frymë vazhduam shtetndërtimin dhe hapjen e perspektivës për zhvillim ekonomik dhe integrimin e vendit tonë në strukturat euro-atlantike.
Të nderuar kryetarë të komunave,
Kërkoj nga ju që këtë frymë të dinjitetit e tolerancës ta dëshmojmë edhe në këtë përvjetor të parë të pavarësisë sonë.
Kështu ne edhe njëherë dërgojmë mesazhin e qartë, ashtu si një vit më parë, se liria jonë, shteti ynë, nuk është kërcenim për askënd, por vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Bota demokratike e pret këtë mesazh nga ne.
Flisni me strukturat tuaja komunale, por edhe me qytetarët, që dita e pavarësisë sonë të jetë njëkohësisht
edhe ditë e tolerancës,
ditë e stabilitetit,
ditë e unitetit politik dhe qytetar,
ditë e vlerave më të larta demokratike.
Çdo incident eventual, çdo shfaqje mosdurimi, shkon drejtpërdrejt në dëm të interesave të shtetit tonë të pavarur dhe sovran dhe në favor të atyre që ende flasin kundër Pavarësisë së Kosovës.
Kemi rastin që edhe njëherë tu dëshmojë atyre se sa të gabuara janë qëndrimet e tyre.
Shteti ynë ka nevojë për përkrahje edhe nga ata që ende kanë hezitime apo dilema për njohje. Me punën tonë t’u ndihmojmë atyre që ti zgjidhin ato dilema në favor të njohjes.
Punë të mbarë në detyrat tuaja. Gëzuar Dita e Pavarësisë së Kosovës.
Last modified: 12 Shkurt, 2009