Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i rregullt trepalësh ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, UNMIK-ut dhe KFOR-it

26 Shkurt, 2008

Prishtinë, 26 shkurt 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot pasdite në kabinetin e tij shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Xavier de Marnhac, me ç’rast temë e këtij takimi kanë qenë zhvillimet më të reja në Kosovë.

Kryeministri Thaçi ka falënderuar paqeruajtësit e NATO-s për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë, së bashku me Shërbimin Policor të Kosovës dhe policinë e UNMIK-ut. Z.Thaçi ka thënë se gjatë këtyre ditëve ka qenë në kontakte të vazhdueshme 24 orë dhe në gjendje gatishmërie për menaxhimin e situatës dhe rrethanave në Kosovë.  “Gjërat janë duke shkuar në drejtimin e duhur”, ka thënë ai, duke shtuar se ndodhemi në fazën e konsolidimit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare.

Kryeadministratori Joachim Ruecker është shprehur se UNMIK-u është i përkushtuar që të përmbushë mandatin e tij në fushat ekzekutive, siç janë: policia, doganat dhe drejtësia, pa përjashtuar edhe veriun e vendit. “Ne  jemi të kënaqur me punën e shkëlqyer që kanë kryer gjatë ditëve të kaluara pjesëtarët e SHPK-së, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i”, ka thënë ai.

Edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier de Marnhac, ka pohuar se KFOR-i është i gatshëm të veprojë në çdo situatë, por ka shtuar se veprimi i tyre është në plan të dytë si rezultat i punës profesionale që po bëjnë pjesëtarët e SHPK-së, për ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend.

I pyetur nga gazetarët se deri kur Qeveria dhe UNMIK-u do të tolerojnë vizitat e ministrave serbë në Kosovë, kryeministri Hashim Thaçi ka thnënë se edhe Beogradi veç po fillon të bindet se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Ai ka thënë se qytetarët serbë, shtetas të Kosovës, janë të bindur se vetëm institucionet e Prishtinës mund të bëjnë gjëra të mira për ta, duke u integruar në jetën e përditshme, por edhe në institucionet e Kosovës. 

Last modified: 26 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×