Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi në shënimin e dhjetëvjetorit të Betejës së Likoshanit dhe Qirezit

28 Shkurt, 2008

Prishtinë, 28 shkurt 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e dhjetëvjetorit të  Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, e zhvilluar  më 28 shkurt të vitit 1998.
 
Para mijëra qytetarëve të tubuar për të nderuar të rënët në dhjetëvjetorin e Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës u përcjell mesazhin për respektin për të kaluarën tonë të lavdishme, kur 10 vjet më parë të bashkuar rreth Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkërisht me NATO-n, arritëm njëherë e përgjithmonë ta largojmë Serbinë nga Kosova. “Tani 10 vjet pas Betejës së Likoshanit, Kosova është e pavarur”, është shprehur kryeministri, duke shtuar se shteti i pavarur i Kosovës nuk lindi më 17 shkurt, por ai lindi dhe i ka rrënjët në rezistencën e qytetarëve të Kosovës dhe dëshmorëve, në kontributin e secilit qytetar në formën dhe mundësinë që kishte.

Z. Thaçi i ka ftuar me këtë rast të gjithë qytetarët që të ndihen krenarë për kontributin e tyre, por tash në këto rrethana të reja, ka veçuar kryeministri, ne kemi edhe obligime të reja: ta zhvillojmë vendin, ta ndërtojmë vendin dhe t’i hapim perspektivë për ta integruar në strukturat e BE-së dhe në NATO.

Kryeministri ka theksuar se duke respektuar vizionin tonë perëndimor, duke respektuar partneritetin tonë të shkëlqyeshëm me SHBA, me vendet e BE-së, me NATO-n, Kosova si shteti më i ri në botë dhe me një njohje të fuqishme ndërkombëtare, do të jetë vend që secili prej nesh mund të krenohet dhe do të ndjehet mirë për të jetuar në shtetin tonë demokratik.

Po sot kryeministri Thaçi ka bërë homazhe dhe ka vënë kurora lulesh në kompleksin e varrezave përkujtimore në Gllanasellë të Komunës së Drenasit, prehen dëshmorët e kombit, Xhevë dhe Fehmi Lladroci. 

Mijëra qytetarë, familje të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë të të rënëve, kanë nderuar të rënët e dhjetë vjetëve më parë në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, në të cilën u vranë dhe masakruan 20 civilë dhe ranë në altarin e lirisë 4 dëshmorë. 

Last modified: 28 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×