Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Thaçi: E ardhmja e Kosovës është e ardhme evropiane, sikurse e Sllovenisë

18 Prill, 2009

Prishtinë, 18 Prill 2009

 “Takimet me presidentin dhe kryeministrin sllovenë ishin shumë të mira dhe ato do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, duke shtuar se ky bashkëpunim mbështetet në investimet e fuqishme të shtetit dhe bizneseve të Sllovenisë në Republikën e Kosovës.

Më tutje z. Thaçi tha se e ardhmja e Kosovës është e ardhme evropiane, sikurse e Sllovenisë. Edhe Kosova do të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe se Sllovenia ka qenë dhe është në mbështetje të vazhdueshme të progresit në Kosovë. Eksperienca sllovene është shumë e çmuar për ne dhe progresi në Kosovë vlerësohet nga Sllovenia si vend anëtare e NATO-s dhe BE-së.

 

Kryeministri Thaçi ka pohuar se edhe në të ardhmen do të ndodhin vizita të ndërsjella midis Kosovës dhe Sllovenisë.

 

Kryeministri Hashim Thaçi duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me vizitën e presidentit serb Tadiq në Kosovë, ka thënë se vendimi për lejimin e vizitës ka qenë në interes të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

 

“Unë nuk kam deficit patriotik në jetën time. Vendimet i marrë në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe të ardhmes euroatlantike të vendit dhe të popullit tim. Nuk marrë vendime duke u bazuar në kalkulime të çastit, personale apo të ngushta. por vendime në përputhshmëri me realitetin në Kosovë, dhe kushtetutën dhe interesat për integrime evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se ka luftuar për të larguar Serbinë nga Kosova dhe për të ndërtuar shtet modern.

Last modified: 18 Prill, 2009

Comments are closed.