Prishtinë, 20 Prill 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur në një takim drejtorin e Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti dhe drejtorin e Doganave të Kosovës, Naim Huruglica.
“Qeveria në kuadër të motos së vet zero tolerancë ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, kontrabandës dhe zotimit të plotë për sundimin e ligjit, funksionimin demokratik dhe efektiv të institucioneve të republikë sonë, të transparencës së plotë dhe të përkushtimeve të përbashkëta për instalimin e standardeve demokratike, si parakusht, por edhe si vullnet dhe prioritet ka implementimin e kritereve dhe standardeve demokratike, që Kosova të jetë vend demokratik, i qeverisjes së mirë, vend modern, një vend i standardeve evropiane euro atlantike i vlerësuar edhe prej komunitetit ndërkombëtar” është shprehur kryeministri Thaçi dhe në këtë kuadër ka shprehur besimin e plotë se procesi i studimit të fizibilitetit nga Komisioni Evropian do të jetë pozitiv.
Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit të sotëm me krerët e Policisë dhe Doganave të Republikës së Kosovës, ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës këtë javë do të procedojë për Kuvend Strategjinë Antikorrupsion, Ligjin Antikorrupsion, gjithashtu edhe Ligjin kundër shpëlarjes së parasë.
“Kjo është detyrë imediate e Qeverisë së Kosovës dhe gjithë mekanizmave institucional të mbështetjes ndërkombëtare edhe Doganave edhe Policisë së Kosovës, që dëshiroj t’i falënderojë për bashkëpunimin e ngushtë, të mirë dhe efektiv dhe praktik, që kanë në luftimin e dukurive negative këta dy mekanizma të funksionimit shtetërorë të Kosovës” ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdim ka ritheksuar mbështetjen e qeverisë për përkushtimet e Policisë dhe Doganave të vendit, në luftë kundër kontrabandës, kundër krimit të organizuar, kundër të gjitha dukurive që ndodhin në Kosovë.
“Është inkurajues sidomos gjashtë mujori i fundit në betejën kundër kontrabandës në territorin e Kosovës, në këtë kuadër kemi edhe vlerësimin ndërkombëtarë për institucionet e Kosovës në luftë kundër korrupsionit. Para një viti ishim ndër vendet e para në rajon, kurse tashmë jemi prej vendeve të fundit sa i përket nivelit të korrupsionit. Gjithashtu, vlerësohet edhe përkushtimi i institucioneve, prandaj në këtë drejtim do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht të gjitha institucionet relevante” potencoi kryeministri Thaçi.
“Është një betejë jo edhe e lehtë, por nuk është e paarritshme. Ne jemi zotuar të punojmë me gjithë potencialin, potencial ky tani më i standardeve evropiane, edhe i Policisë së Kosovës edhe i Doganave. Puna e mirë e këtyre dy institucioneve është vlerësim edhe për qeverinë edhe për shtetin tonë të ri dhe një forcim i Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës”, ka përfunduar kryeministri Thaçi.
Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, ka falënderuar kryeministrin Thaçi dhe qeverinë që drejton, për mbështetjen e vazhdueshme në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative dhe ka shprehur përkushtimin e Policisë së Kosovës që të vazhdojë angazhimet kundër krimit dhe kontrabandës.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, është shprehur se pas shpalljes së pavarësisë dhe djegies së dy pikave kufitare u ballafaquam me një problem të madh të rritjes së kontrabandës në veri por në muajt e fundit kemi arrit ta ulim nivelin e kontrabandës prej gati 80 për qind, që është një punë jashtëzakonisht e madhe që kemi bërë dhe kemi arriturat që të vëmë kontroll në atë pjesë të kufirit.
Z. Huruglica tha se është ngritur niveli i përgjegjësisë dhe se rezultatet dëshmojnë se përkundër krizës financiare ne kemi të hyra më shumë se vitin e kaluar për periudhën e njëjte dhe kjo na inkurajon të jemi të bindur se deri në fund të vitit do të mbërrijmë me suksesi t i përmbushim të gjitha planet.
Last modified: 20 Prill, 2009