Zyra e Kryeministrit

Letra e kryeministrit Hashim Thaçi dërguar përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, me rastin e vizitës së presidentit serb Boris Tadiq në Manastirin e Deçanit

16 Prill, 2009

Prishtinë, 16 prill 2009

Z. Pieter Feith
Përfaqësues Civil Ndërkombëtar
Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian
Prishtinë, Republika e Kosovës

 

I nderuar z. Feith,
Duke iu referuar letrës suaj të datës 15 Prill 2009 rreth kërkesës për të mundësuar vizitën e Presidentit të Serbisë, z. Boris Tadiç në Kosovë më 17 Prill 2009 për të vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e Pashkëve Ortodokse, dua të ju informoj se:

Duke konsideruar faktin se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare, në konsultim të plotë me krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të lejoj hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës të Presidentit të Serbisë, z. Boris Tadiç më 17 Prill 2009.

Siç u deklarua më lartë, kjo vizitë është private dhe për arsye fetare dhe e njëjta nuk mund të përdoret për asnjë qëllim tjetër. Presidenti i Serbisë do të përcillet nga Policia e Kosovës në Manastirin e Deçanit për të marrë pjesë në meshën me rastin e Pashkëve Ortodoksë dhe menjëherë do të udhëtojë prapa për në Serbi.

Nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 4 (1) të procedurave dhe kritereve për vizita zyrtare të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Republikën e Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar.

Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj

Sinqerisht i juaji,

Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 16 Prill, 2009

Comments are closed.