Prishtinë, 16 prill 2009
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës zyrtare në Lubjanë, është pritur nga president i Republikës së Sllovenisë, Danilo Turk.
Në takimin e përzemërt mes kryeministrit Thaçi dhe presidentit slloven është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Kosovës dhe Sllovenisë, me theks të veçantë lidhur me avancimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me presidentin slloven ka shprehur përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e ambientit të volitshëm, të sigurt dhe legjislacionit bashkëkohor për nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, duke potencuar veçanërisht mirëpritjen e investimeve të reja sllovene.
Ishte konstatim i përbashkët i dy burrështetasve që Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet dhe perspektivë evropiane për rajonin. Në këtë aspekt, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se institucionet e shtetit të Kosovës gjithmonë kanë proklamuar politikën e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit.
Vizioni i institucioneve dhe i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i qartë: integrimi dhe e ardhmja evropiane, ka thënë kryeministri Thaçi në takimin me presidentin slloven.
Në këtë kuadër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar të rëndësishme përvojën e suksesshme të Sllovenisë në procesin e Integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo përvojë, ka theksuar kryeministri Thaçi, është e rëndësishme edhe për procesin e Kosovës në drejtim të anëtarësimit në institucionet euro-atlantike.
Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Slloveni, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të pritet nga homologu i tij, kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.
Last modified: 16 Prill, 2009