Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i radhës i Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit

15 Prill, 2009

Prishtinë, 15 prill 2009

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, i bashkëdrejtuar nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Yves de Kermabon u mblodh sot për të nëntën herë me radhë në selinë e re qendrore të EULEX-it.

Z. De Kermabon informoi të pranishmit për aktivitetet e EULEX-it që nga takimi i fundit, mes tjerash deklarimin e kapacitetit të plotë operacional të EULEX-it dhe vizitat që kishte në Beograd dhe Tiranë për të kultivuar bashkëpunimin rajonal në luftën kundër çështjeve siç është krimi i organizuar. Z. Kuçi përgëzoi EULEX-in për shpalljen e kapaciteteve të plota operacionale duke thënë se qeveria mirëpret të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tash nga EULEX-i dhe shprehu përkushtimin e qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me EULEX-in. EULEX-i tashmë po merr formën e vet dhe ne falënderojmë të gjitha burrat dhe gratë e guximshëm të EULEX-it për punën e tyre,” tha z. Kuçi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, paraqiti rezultatet e grupit punues, të përbërë nga përfaqësues vendorë dhe të EULEX-it i cili është marrë me gjetjen e mënyrave për të zgjidhur çështjen e policëve serbë të suspenduar nga PK. Sipas rekomandimeve të grupit punues, qeveria ka marrë vendim t’u japë afat deri me 30 qershor 2009 të gjithë policëve të suspenduar të kthehen në punë. Z. Kuçi theksoi se vendimi nuk duhet të shihet si dënim për këta policë, por si një hap konkret për të rindërtuar një shërbim policor plotësisht shumetnik që do të pasqyrojë shoqërinë e Kosovës dhe do të punojë për interesat e të gjitha komuniteteve. Z. Pajaziti theksoi se “që nga sot ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për të inkurajuar të gjithë policët që janë larguar t’i kthehen Policisë së Kosovës.”
Z. De Kermabon shprehu mbështetjen e EULEX-it për vendimin e qeverisë dhe theksoi nevojën për t’ju qasur kësaj çështjeje në një mënyrë mirëdashëse.

Çështje të tjera të diskutuara gjatë takimit ishin edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ku EULEX-i vuri në pah rëndësinë që Kuvendi i Kosovës sa më parë të emërojë tre anëtarët vendorë të Këshillit. Statusi i Dhomës Speciale të Gjykatës Supreme po ashtu u diskutua gjatë takimit si dhe projektligji mbi shpëlarjen e parave.

Last modified: 15 Prill, 2009

Comments are closed.