Prishtinë, 14 prill 2009
Kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar përfaqësuesit e Komisionit për Punë të Jashtme të Shqipërisë për vizitën që po i bëjnë Kosovës, për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë vazhdimisht institucionet dhe politika shqiptare shtetit të ri të Kosovës.
Shteti i Kosovës është edhe kontribut i Shqipërisë, edhe liria, pavarësia, theksoi kryeministri Thaçi.
Ishte lajm i gëzuar për të gjithë në Kosovë, për gjithë shqiptarët kudo që janë, integrimi i Shqipërisë në NATO. Tani, Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO, janë garanci e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal dhe frymës euroatlantike, u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Bashkëpunimi ynë institucional vetëm sa do të rritet në të gjitha fushat. Ky komunikim i ndërsjellë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, do të vazhdojë në një formë dhe kuptim edhe më të avancuar, prandaj edhe një herë falënderoj të gjithë për vizitën dhe natyrisht zotohemi si Qeveri për bashkëpunim edhe më të ngushtë edhe më produktiv, më konkret në të gjitha sferat e jetës institucionale dhe shoqërore, – theksoi kryeministri Thaçi.
Kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, pas takimit ka theksuar se “ne jemi në dispozicion si Parlament i Shqipërisë, si Komision i Jashtëm për të bërë gjithë atë që kërkohet prej nesh dhe mund të bëjmë për të ndihmuar Kosovën në sfidat e saj të reja, të rrënjosjes së pavarësisë dhe në sfidat e integrimit euroatlantik. Me kryeministrin Thaçi ndamë sërish gëzimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një lajm që është pritu me gëzim të madh edhe në Kosovë”.
Nga ana e saj, deputetja, ish-ministrja e jashtme shqiptare, Arta Dade, e ka konsideruar vizitën e Komisionit të Jashtëm shumë të rëndësishme, aq më tepër dy muaj para zgjedhjeve në Shqipëri.
“Ne shprehëm jo vetëm vullnetin politik në mbështetje të Kryeministrit Thaçi, të Qeverisë së Kosovës, të të gjitha autoriteteve, por garantuam për një vazhdimësi në mënyrë cilësore, duke i rritur marrëdhëniet dypalëshe në nivele më të larta” – u shpreh deputetja shqiptare, Dade.
Last modified: 14 Prill, 2009