Prishtinë, 14 prill 2009
Deklarata e plotë e kryeministrit Hashim Thaçi, pas takimit me pretendentin e Fronit Mbretëror Shqiptar Leka Zogu I
Ishte kënaqësi të prisja Lartmadhërinë të cilit i urova mirëseardhje në Kosovën e pavarur, sovrane dhe demokratike.
E informova për gjithë suksesin e arritur në Kosovë, që nga shpallja e Kosovës shtet, për njohjet e fuqishme që kanë ndodhur për Kosovën dhe për mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, për njohjet e ardhshme që do të ndodhin po ashtu, për progresin e arritur edhe në zhvillimin ekonomik, për hapat e rëndësishëm që kemi bërë në reforma për tu integruar sa më shpejt në strukturat euroatlantike. Kosova është shtet funksional, një shtet efektiv me mbështetje të gjithanshme ndërkombëtare, me perspektivë të sigurt për integrime.
Pavarësia ka sjellë paq, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Mbështetja e Shqipërisë në këtë proces ka qenë shumë e rëndësishme në periudhën para shpalljes, gjatë procesit të shpalljes, dhe tash pas shpalljes së deklaratës së pavarësisë së vendit tonë, në mënyrë të koordinimit më të mirë të punëve.
Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, bashkëpunim ky që po jep rezultate konkrete për të mirë e të dy shteteve dhe gjithë qytetarëve tanë dhe ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Pavarësia e Kosovës dhe hyrja e Shqipërisë në NATO kanë qenë momente historike për rajonin, për qytetarët tanë, për të ardhmen tonë të sigurt integruese, të zhvillimit dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, ku një rol aktiv e ka luajtur edhe Lartmadhëria.
Nga ana e tij, pretendenti i Fronit Mbretëror Shqiptar Leka Zogu I, pasi ka shprehur kënaqësinë për takimin me kryeministrin Thaçi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, ka theksuar se forca më e madhe e suksesit të shqiptarëve është forca e bashkimit të tyre të gjithanshëm, integrimet ndërshqiptare.
Last modified: 14 Prill, 2009